Showing posts with label Historia. Show all posts
Showing posts with label Historia. Show all posts

25 Qershor, përkujtohet masakra ndaj popullsisë çame


TIRANE - Nesër më 25 qershor, komuniteti shqiptar çam në Shqipëri, kujton masakrën ndaj popullsisë së saj të pafajshme, të kryer nga trupat e rregullta ushtarake greke të udhehequra nga Napolon Zerva.

Në Kllogjer të Sarandës, prehen 2700 persona të vdekur rrugës, gjatë eksodit të popullsisë së pafajshmë dhe të pambrojtur çame që ikte për ti shpëtuar genocidit dhe dhunës greke.

Ju tregoj Grekërit.....


Faik Konica 1875-1942 Prej disa kohesh ndermjet Italise e Greqise po zhvillohet per Shqiperine nje perleshje paraprake me fjale, qe mund te jete pragu i nje konflikti te armatosur. Italia ngre ceshtjen se Greqia mbante nje pjese te madhe territori qe i perket Shqiperise, ndersa Greqia e mohon me ze te larte kete pretendim. Shume amerikaneve u eshte dukur e cuditeshme qe, ndersa zeri i italianeve dhe grekerve degjohej, nuk ndihej zeri i pavarur i Shqiperise. Porse a nuk ka thene njehere nje autor anglez se nje nga karakteristikate shqiptareve eshte se ata jane te "paartikuluar"?

Kerkesave te perseritura une iu jam pergjigjur se nuk kisha gje per te thene, ndersa atyre miqve amerikane, te cileve ndjenjat e tyre dashamirese u japin te drejten te me pyesin perse ashtu, u jam pergjigjur se me kishte ardhur gjithcka ne maje te hundes dhe se kisha vendosur qe ketej e tutje te mbetesha nje spektator i thjeshte i tragjedive dhe i farsave te botes. Por tani eshte nje grup atdhetaresh shqiptare qe me kerkon te bej nje deklarate. Keta miq shqiptare dine per mua disa gjera qe miqte e mi amerikane nuk i dine. Ata e dine se une kam lindur ne zonen kufitare shqiptaro-greke qe ben pjese ne krahinen e vene ne diskutim, keshtu qe trojet ku une kam luajtur si femije jane fushat e betejave te ardhshme; ata mendojne se askush tjeter me mire se une nuk e njeh historine e kesaj krahine dhe ata me permendin vazhdimisht se si drejtues i rinise, une njehere e nj'e kohe kam qene mbrojtes i palodhur i teresise tokesore te Shqiperise. Prandaj ndonese me lekundje, vendosa te thyej heshtjen dhe t'i paraqes popullit amerikan disa fakte te kontrollueshme rreth sfondit historik te konfliktit qe po vjen rrotull.


Sic dihet nga te gjithe, ne periudhen e lashte shqiptaret quheshin ilire. Rajoni i diskutueshem ne lashtesi njihej si Iliria e jugut dhe me vone eshte quajtur Shqiperia e Jugut, ndersa grekerit kane vendosur ta quajne Epir, nje emer qe do te thote "kontinent" dhe ne zanafille perdorej per kete rajon nga banoret e ishujve te vegjel pertej bregut te Shqiperise, po ashtu si peshkataret e ishujve Bahamas do ta quanin Floriden "kontinenti", me nje emer qe nuk ka asnje lidhje me kombesine e popujve qe banojne ne kontinentin ne fjale. Ky rajon gjate afer pese shekujve te sundimit turk perbente vilajetin ose provincen e Janines, me qytetin e Janines si kryeqender.

Jo vetem qe ky rajon ka qene gjithmone shqiptar nga gjuha edhe kombesia, por kufinjte e fiseve ilire shkonin shume larg pertej. Madje, edhe ishujt Joniane kane qene kryesisht ilire. Ne nje liber te famshem qe e njohin mire studiuesit, "Fjalor i antikiteteve klasike" te Lybkerit, tek artikulli per Kerkyren (Korfuzin) vihet ne dukje se ai ishull "ne zanafille banohej nga iliret". Kurse ata qe do te marrin mundimin te lexojne vepren e studiuesit te njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar ne Lund me 1909 me titullin "Studime mbi historine e Epirit te Lashte", do te sherohen nga prirje per te menduar se Epiri ka qene ndonjehere grek. Ky rajon e ka ruajtur natyren e vet ilire te pandryshuar. Deri dhe kaq vone sa i bie ne shekullin e dhjete te eres sone, perandori i Bizantit Leoni i Mencuri, ne nje nga librat e tij permend faktin qe "banoret e Epirit jane shqiptare". Pak nga pak depertimet greke nisen te ndiheshin ne disa pjese te ketij rajoni. Se si u bene te mundshme keto depertime, ne e dime nga disa autoritete te dores se pare.

(II)

Ne gjysmen e dyte te shekullit te katermbedhjete, Janinen e qeveriste nje princ bizantin (ose nje despot, sic e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Ketij Thanasi i hipi ne koke ideja e bukur per te vrare gjithe shqiptaret. Ju mund te dyshoni se mos keto ngjarje jane nxjerre nga ndonje legjende shqiptare e shtemberuar ose nga ndonje fletushke propagandistike italiane. Aspak. Autoriteti qe na e njofton kete mizori eshte nje grek besimtar dhe i ndershem, Mihail Dukas, pjesetar i Shtepise perandorake bizantine me po ate emer, kronika e te cilit perfshihet ne koleksionin e madh te historianeve bizantine, qe ndodhet ne Bon dhe mund ta studioje cdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton te gjitha egersite dhe vrasjet qe ka bere Thanasi kunder popullsise shqiptare te Janines. Sic thote Dukasi, nje nga lojrat e tyre te parapelqyera ishte t'u priste hundet ose pjese te tjera shqiptareve dhe t'i linte te vdisnin ne agoni. Disa krere feudale shqiptare e kercenuan Thanasin me nje ekspedite ndeshkimore, nese ai nuk do t'i nderpriste krimet kunder shqiptareve. Thanasi u permbajt nje fare kohe dhe martoi vajzen e vet me princin me te fuqishem te asaj kohe, me Gjin Shpaten. Pas njefare periudhe, Thanasi i nisi perseri perndjekjet, madje edhe me te egra se me pare. Sic shkruan Mihail Dukasi, ndersa Gjin Shpata mblodhi nje ushtri dhe e rrethoi Janinen, kryeqytetin e vjehrrit te vet, Thanasi cdo dite nen flamurin e armepushimit i dergonte Shpates nje shporte me sy te nxjerre nga kokat e shqiptareve fatkeqe dhe kjo dhurate e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.

Sic e thote historiani, ambicja e Thanasit ishte te fitonte nofken e Albanoktonos qe do te thote Shqiptarovrases. Dukasi shton se despotit i pelqenin shume te huajt dhe te jashtmit, prandaj pati sjelle shume prej tyre ne qytet. Se fundi thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbane "te zbrazte" Janinen nga banoret e rrenjes. Natyrisht zor se mund te shpikte nje metode me te efektshme per te ndryshuar perberjen etnike te nje vendi, porse "te drejta" te krijuara ne kete menyre, ta themi ne folmen me te bute, jane te nje cilesie te dyshimte. Krimet e pershkruara nga Mihail Dukasi kane ndodhur me 1380 dhe ne pak vite me pare.

Pas pesedhjete vjetesh, me sakte me 1431, nje ushtri e forte osmane erdhi me gjemime te portat e Janines, e cila nderkaq ishte ripopulluar me te ardhur, dhe me nje sulm qyteti u pushtua. Eshte per t'u shenuar fakti se, pasi i bene nje mbikqyrje krahines, turqit e klasifikuan ate si pjese te Shqiperise. Por ka edhe dicka me domethenese dhe krejt te pakundershtueshme. Turqit bene nje regjistrim te kujdesshem te qyteteve e te fshatrave dhe emrat e ketyre vendeve kane dale me pas ne botimet zyrtare ne trajtat e tyre shqip e jo greke. Per shembull, le te marrim rastesisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato jane regjistruar perkatesisht Dhelvinon dhe Grebene. Turqit e hershem kane qene te perpikte me hollesi te madhe per shenimin e emrane te vendeve, duke parapelqyer gjithmone trajtat e mirefillta popullore. Per shembull, pas rrethimit te pare te Vjenes, turqit nisen ta shkruanin Wian me nje A te gjate, qe eshte trajta e vertete popullore dhe sa kohe zgjati Perandoria Osmane, ata iu permbajten kesaj trajte, duke flakur trajten artificiale Wien. Ne traktatin e Ajzenburgut te nenshkruar me 1664 ndermjet Turqise dhe Perandorise Romake te Shenjte e te hartuar turqisht e latinisht, kur numerohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan ate mbret te Bohemise, porse ne tekstin turqisht turqit kane ngulur kembe per ta thene mbreti i cekeve.

(III)

Pushtimi turk solli nje ndryshim te rendesishem ne jeten e Shqiperise. Per arsye qe jane teper te gjata per t'i shtjelluar ketu, shume shqiptare e lane krishterimin dhe u bene moslemane, e kjo levizje vijoi per dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsise u be moslemane, pjesa tjeter mbeti e krishtere, ne veri si besimtare te kishes Perendimore e ne Jug te asaj Lindore, qe shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqe ne kishen e dyte sherbesat behen greqisht dhe kleri eshte ne pjesen me te madhe grek, u krijua mundesia per grekerit qe te shkombetarizonin shqiptaret duke e persosur kishen si mjet te propagandes.

Nje faktor tjeter ka qene ardhja tinzare e banoreve qe flisnin greqisht, shpesh te favorizuar me budallallek nga pronaret shqiptare, te cilet kishin nevoje per bujq per te zevendesuar shqiptaret qe iknin ne lufterat e pafund te Perandorise Osmane. Ngritja e Greqise si shtet i pavarur i dha nje shtyse te fuqishme propagandas greke. Tashme grekerit nisen haptas te shpallnin se cdo besimtar i kishes Lindore, pavaresisht nga gjuha dhe kombesia, ishte grek.

Nje nga marifetet me te padegjuara te grekerve ka qene dhenia e ryshfeteve zyrtareve te larte ne Stamboll per te nxjerre nje ferman qe te ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt nje veprim i denueshem, madje edhe po te mbaje libra kaq te pademshem si gramatika ose aritmetika, po te ishin shkruar shqip. Grekerit rane madje edhe me poshte, nuk e kishin per gje te kallzonin atdhetaret shqiptare te ndershem si rebele dhe benin qe ata t'i degdisnin ne burgje te largeta.

(IV)

Pas lufterave ballkanike Turqia Evropjane u copetua dhe Fuqite e Medha nuk mund ta injoronin ekzistencen e kombesise me te lashte te gadishullit. Shqiperia u be shtet, por u rregjua ne nje te katerten e madhesise se vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kesaj do te ishin te kenaqur dhe do te rrinin urte, se do te perpiqeshin po te ishte e mundur te zhvillonin marredhenie te fqinjesise se mire me pjesen qe mbetej te Shqiperise. Mirepo ndodhi e kunderta. Duke perfituar nga fakti qe Turqia nje vit me pare i kishte carmatosur plotesisht shqiptaret, nje ushtri me greker e organizuar e maskuar si njerez civile, vershoi mbi gjithe Shqiperine dhe nisi te djege e te vrase gjithcka i dilte perpara. Ne Shqiperi ne ate kohe kane qene ne qender te ketyre krimeve te organizuara dy deshmitare te huaj: autorja e njohur angleze Meri Edit Durham dhe nje korrespondent gjerman. Te dy ata u tmerruan dhe u moren vesh qe t'ia benin te njohur te gjithe botes cdo gje qe ta e quanin si nje nga krimet me te medha te organizuara te te gjithe koherave. Per fat te keq, plasi Lufta Boterore dhe e terhoqi vemendjen e te gjitheve. Por me 1920, me titullin "Njezet vjet ngaterresa ballkanike" Mis Durham botoi nje liber, ku nje kapitull i plote u kushtohet njoftimeve per keto masakra. Kushdo qe deshiron ta kuptoje konfliktin e sotem nuk mund te beje pa e pare kete liber.

Pas Luftes Boterore, Greqia ua ndaloi shqiptareve te kishin shkollat e tyre ne Greqi dhe vijoi punen e saj per te eleminuar elementin shqiptar me cfaredo mjeti. Nje rast i rralle iu paraqit grekerve nga Traktati i Lozanes, i cili nxiti shkembimin e familjeve turke me ato greke. Sic e kam thene me siper, nje shumice shqiptaresh disa shekuj me pare e lane krishterimin dhe u bene moslemane, por ata i ruajten gjuhen dhe traditat kombetare dhe kurre nuk kane mesuar turqishten. Mashtrimi i grekerve kishte per qellim qe t'i paraqiste si turq shume moslemane shqiptare dhe t'i dergonte me anije ne thellesine e Azise se Vogel, duke i bere objekt shkembimi. Kjo eshte njesoj sikur te syrgjynosesh, irlandezet ne Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezet edhe polaket jane katolike edhe prandaj qenkan te nje kombesie. Komisioni Nderkombetar per shkembimin e popullsise e zbuloi mashtrimin ne pak raste dhe e ndaloi, por shume here te tjera atij ia hodhen me mjeshteri.

Po te shqyrtohen deshmite e vjetra per gjendjen e kombesise ne viset e ndryshme te rajonit te diskutuar, habitesh me ndryshimet qe jane bere nepermjet dredhive dhe mashtrimeve te organizura. Ne fillim te shekullit te nentembedhjete nje anetar i kishes se Anglise me emrin Stjuart Hjuz, ka bere nje udhetim neper Shqiperi dhe ka lene shenime per vezhgimet e veta, ka vizituar dhe qytetin tim te lindjes Konicen, nje vend i lashte i cili mendohet nga disa studjues si Pukevili se ka qene ne mesjeten e hershme kryeqyteti i Ilirise Jugore. (Emri i vendit tingellon ne menyre te cuditshme si prusjan, por kjo vjen ngaqe po ai ndikim sllav mbi toponimine ka vepruar ne Prusi, ashtu edhe ne Shqiperi). Hjuzi ka shenuar se Konica kishte 800 shtepi, nga te cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku jane keta 75 % shqiptare sot?

Megjithate, ne rajonin e diskutuar ka nje krahine te gjere, qendresa e pa trembur e se ciles i ka kapercyer te gjitha format e organizuara te vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo eshte cameria, te cilen grekerit e shtremberojne ne Camuria. (Nuk u ve faj grekerve per kete shtremberim qe vjen nga paaftesia e alfabetit grek per te riprodhuar gjithe tingujt e gjuhes shqipe dhe te shume gjuheve te tjera per kete ceshtje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) ne shtypin grek dilte gjithmone me emrin Kampot Lone. Popullsia e camerise tani vone ne 1913 ka qene 96 % shqiptare. Ky perpjestim tani eshte ulur me akte dhune dhe une mund te sjell si shembull shume punetore, qe derdhin djersen ne fabrikat e Amerikes, te cilet i kane pasur prinderit pronare te lulezuar ne cameri me pak se nje vit me pare. E megjithate, ne kundershtim me gjithe kete pemdjekje ende shqiptaret perbejne 80 % te popullsise se camerise.

(V)

Ndersa tani Italia eshte gati te nderhyje duke na shpallur si qellim se kerkon te vere ne vend demet qe I jane shkaktuar kombit shqiptare dhe te rivendose kufinjte natyrore e historike te Shqiperise. Eshte e arsyeshme qe te presesh nga cdo shqiptar i vertete se do te jete i pakenaqur nga ky veprim. Por ndonje mund te kundershtoje se megjithe metodat e denueshme te perdorura nga grekerit ata kane arritur qe ta permbysin gjendjen e kombesive ne shume vise te rajonit te diskutuar, keshtu qe te ndreqet nje padrejtesi e vjeter me nje padrejtesi te re nuk tingellon aq mire. Per kete une do te pergjigjesha se nuk mund te kete nje akt ligjor qe te perligje krimet e organizuara e te vazhdueshme.

Por, ka dhe me. Shume larg nga Shqiperia historike, ne Greqine e brendshme ka pothuaj nje milion shqiptare, gati gjysma e te cileve ende e flet gjuhen e vet te lashte. Keta njerez kane nje mall ideal per Shqiperine dhe ne te kaluaren kane nxjerre deshmore te ceshtjes shqiptare. Ata mund te shkembeheshin me grekerit e rajonit te diskutuar dhe me se fundi te gjithe do te ishin te kenaqur. Porse sic pohojne grekerit, Italia kerkon te arrije qellimet e veta duke zgjeruar kufijte e Shqiperise. Une pajtohem me kete plotesisht, por me duhet te shtoj se ky pohim nuk ka peshe dhe eshte thjesht nje perpjekje per t'i bere bisht ceshtjes. ceshtja eshte a qe nje here dhe a ka qene gjithmone pjese perberese e Shqiperise ish-krahina turke e Janines? Ne qofte se kjo eshte e vertete, a mund te bjere poshte automatikisht kjo e vertete vetem e vetem sepse e thone edhe italianet? Fakti eshte i qarte, se Italia ka ketu nje perligje te mire e te forte, sepse rastis qe kerkesat e saj perputhen me nje akt te vonuar drejtesie kunder Shqiperise. Po ndodh qe nje here perendite hakmarrese jane ne anen e legjioneve te cezarit.

Faik Konica
New York Times, Gusht 1940

(Peshku pa Uje)

Aleksandri i Madh

I njohur më emrin ''Aleksandri i Madh'' u lind në korrik të vitit 356 p.e.s. në Pela, Maqedoni, nga martesa e mbretit Filip të Maqedonisë dhe mbretëreshës Myrtale, që pas martesës u quajt Olimpi, e bija e Neoptolemit të Epirit. Vdiq më 10 Qershor 323 p.e.s. në moshën 33 vjeçare. Nga e ëma kishte fituar karakter të fortë sundimtari kurse nga Aristoteli, mësuesi i tij maqedonas, dijen dhe kulturën mbi qyteterimet e vjetra. Ai e kaloj edhe një pjesë të fëmijërisë së tij, te dajua në Epir.

Aleksandri adhuronte jashtë mase Akilin, stërgjyshin nga e ëma. Gjatë tërë jetës e ëma e drejtonte në rrugën e lavdisë së përjetshme. Olimpia i thoshte shpesh: “Ti je si Akili, i dënuar nga madhështia jote”.
Jeta e tij u ndërlikua kur Filipi, i sapo ndarë nga Olimpia, bëri një djalë tjetër me gruan e re, Euridiçen.

Atëherë, kur froni për të nuk ishte më aq i sigurtë, u largua bashkë me të ëmën në pallatin mbretëror të Epirit ku festoi edhe martesën e dajës së tij, mbretin i Epirit, të atin e Pirro Burrit (Epirit). Më pas shkoi në Iliri për të organizuar një paraqitje të armatosur kundër të atit, që kishte ndër mend t’ia linte pushtetin djali të tij të dytë. Pak kohë pas largimit Filipi II vritet dhe Aleksandri u shpall mbret, sepse djali i dytë ishte ende foshnje.

Në ato kushte Aleksandri vendosi të vinte në jetë planin e të atit, për pushtimin e Azisë. Për këtë i hodhi sytë perandorisë më të madhe të kohës, Persisë. Kaloi në Azi me ushtri të vogel, por më e stërvitura e kohës. Pushtoi së pari qytet-shtetet e Azisë së Vogël, së bashku me Egjiptin. Më pas u përball me Persinë, me mbretin Dari III në tre përleshje. E parë u bë në vitin 331 para epokës sonë në Isos, kundër një ushtrie dy herë më e madhe në numër. E dyta në Gaugamel në vitin 329, pra dy vjet më vonë, ku ushtria perse kishte 250 mijë njerëz ndaj 40 mijë te trupave te tij. E fundit ishte në Granikë. Në të tre përleshjet Aleksandri pati tre fitore të jashtëzakonshme! Perandoria më e madhe e kohës u rrëzua nga një burrë i vetëm! Pas pushtimit të Persisë, Aleksandri u drejtua edhe më në lindje, drejt Indisë, në kërkim të fundit të botës.

Një pjesë e ushtarëve mbetën në ato vise dhe pasardhësit, ndonëse kanë kaluar 22 shekuj, krenohen me atdheun e tyre të parë. Pushtoi edhe shumë vise në Indi dhe Azinë Qëndrore, por nuk arriti të realizonte ëndrrën e tij dhe u detyrua të tërhiqet. Kjo për arsye se ushtarët e tij u lodhën nga 8 vite lufte të pandërprerë. Për t’i dënuar ushtarët, Aleksandri zgjodhi kthimin më të vështirë, ndaj një pjesë vdiqën rrugës. Asnjë ushtri në botë nuk kishte vuajtur kaq shumë gjatë tërheqjes, përveç asaj të Napoleonit, prej kthimit nga Rusia më 1812.

Në kohën kur po përgatiste një ekspeditë të re për të pushtuar tërë botën perëndimore, temperatura e lartë e shtriu në shtrat dhe pas nëntë ditësh vdiq, në vitin 325 para erës sonë.

Aleksandri i Madh ka mbetur në kujtesë me rininë e përhershme, si stërgjysh Akili, idhulli i tij. Burrat që kanë bërë historinë në vitet e mëvonshme si: Pirroja Burri i Epirit, Napoleoni arbëresh e shumë të tjerë, e patën Aleksandrin shembull të tyre. Shqiptarët kanë të drejtë të krenohen me këtë hero legjendar.
Ai në flamurin e Maqedonisë mbante shqiponjën 2-krerëshe, të cilën e mbanin edhe Epiriotët dhe Ilirët.

Deri më sot, vlerësohet si njeriu që ka patur pasurinë më të madhe të botës.
Ai shkeli tre kontinente dhe mbasi u kthye nga India, kishte një ëndërr që të bashkonte Europën, Azinë dhe pjesën veriore të Afrikës në një Shtet të vetëm.

Ai u martua me Roksanën dhe lindi një djalë që i vuri po të njëjtin emër.
Në të gjithë botën që ai shkeli ndërtoj 10 Aleksandri. Ishin qytete të mëdha për kohën, në të cilat ai la qytetërimin ilir në to (dhe jo grek siç deformohet tani historia; sipas interesit, se kush shtet është më i madh dhe ka ekonomi të fuqishme bën edhe historinë). Prandaj, në ato vende ka akoma edhe sot shumë fjalë ilire (kujtojmë popullsinë me emrin Kalash (që vjen nga fjala kalorës edhe të lashtë).

Po si ta vërtetojmë më mirë që Aleksandri ishte ilir?
Fare e lehtë. Shqyrtojmë emrin e tij, i cili vjen nga pellazgjishtja e Homerit. (Pellazgët janë paraardhësit e Ilirëve). Tek Iliada, Homeri thotë se mbreti Priam (Prij + jam, jam ai që prij) kishte një vajzë me emrin Kasandra, e cila parashikonte të ardhmen dhe kur do të lindte djali, ajo parashikoi që ai do të shkatërronte gjithë botën nga luftërat. Dhe meqë kjo ishte një ëndërr e keqe, djalit ia vunë emrin Aleksandër. Pra, Aleksandër (a + lig + andër) një ëndërr e lig, e keqe.
Pra, emri i tij jep më qartë që ai vinte jo vetëm nga familje me prejardhje pellazge, por edhe që emri i tij shqipërohet vetëm me Shqipen e sotme dhe me as një gjuhë tjetër në botë.

Mendohet të ketë lindur në Matin e Sotëm, prandaj dhe ka patur nofkën i Madh (Mathi – është quajtur Mati në kohën Ilire). Këtë gjë mund ta vërtetoni lehtësisht. Në fillim të filmit të Skënderbeut, sulltani i thotë atij: - po të vë emrin Iskander (Aleksandër), meqë ti je nga i njëjti vend që ishte dhe Aleksandri i Madh dhe po të jap titullin Bej.....

p.s. ju lutemi mos ngatërroni vendasit e asaj kohe megjithëse ai vend quhej Maqedoni tamam si sot. Po dikur, deri para shekullit VII-XI kur ndodhën edhe ardhjet masive sllave në Ballkan, Maqedonia ishte e populluar me ilir, ndërsa tani me shqiptar dhe sllavë.

Historia e familjes që sfidoi Bushatllijtë

Kur Bushatllijve u duhej të vinin plotësisht nën sundim pashallëkun e Shkodrës, për të shtrirë më vonë pushtetin në gjithë Ballkanin Veri Perëndimor, iu desh të përplaseshin edhe me një prej familjeve më të rëndësishme të Shkodrës. Të njohurit si Gjylbegajt apo Gramshejt, u thyen nga Mehmet Bushatlliu dhe iu desh të linin Shkodrën derisa pashallëku i madh u rrëzua dhe ata shpejt do të ktheheshin në një nga familjet më në zë të Shkodrës, duke i dhënë Shqipërisë një sërë komandantësh ushtarakë dhe liderësh politikë.

Historia e hershme

Familja e Gjylbegramshejve është ndër të paktat familje feudale në Shkodër, pasardhës të të cilëve vazhdojnë të jetojnë në këtë qytet, pavarësisht se kamjaftqë janë të shpërndarënë Shqipëri apo dhe në botë. Kjo familje, në rrjedhat e kohës është ndarë në dy pjesë, në atë Gjylbegaj dhe Gramshej, mbiemra që pjesëtarët e kësaj familjeje i kanë përdorur veçmas në dy epoka. Kështu deri sa zgjati pushtimi turk ato përdorën llagapin Gramshej, si në akte zyrtare ashtu dhe në korrespondenca tregtare, ndërsa pas pavarësisë, një pjesë e tyre përdorën llagapin Gjylbegaj. Duke i referuar historiografisë dhe dokumenteve kadastrore, kjo familje feudale ka pasur shtrirje deri në Zadrimë të Lezhës, në Mirditë dhe në një pjesë të Dukagjinit, pikërisht zonën e Korthpulës, ndërsa kanë lidhje dhe me Begollajt e Pejës.

Disa studime të autorëve si S. Naçi dhe Dom Ndoc Nikaj, tregojnë se ushtritë e feudalëve si Tahir e Musa Begu (të parët e Gjylbegajve ) kanë luftuar me ushtrinë e Mehmet Pashë Bushatliut në vitin 1770, luftë të cilën ato e humbën dhe në të cilën mbeti i vrarë Hysen Begu dhe u varnip i tij Jusuf Begu. Me kalimin e viteve, familja u vendos në lagjen Qaf Hardhi në qytetin e Shkodrës, pikërisht pas rënies së pashallëkut të Shkodrës.

Rikthimi në Shkodër

Thuhet se ipinjolli i parë i familjes Gjylbegaj,që erdhi dhe u vendosnë Shkodër, pas rënies së Bushatllijve, ishte në moshë të re dhe hyri fshehurazi në qytet. Në lagjenku u vendosën, Gjylbegajt ndërtuan dhe disa vepra bamirësie që u janë njohur deri vonë si toponime ,"PusiiGjylbegajve" dhe "Ura e Gjylbegajve" . Në këtë lagje ato kishin një banesë të vogël dhe merreshin me grumbullimin e kripës duke e tregtuar atë, ndërsa më pas nisën të grumbullojnë dhe lesh për eksport. Bijtë e Gjyl Begut u shpërngulën dhe blenë një shtëpi tek Çinari i Hoxhë Dheut, ku jetojnë dhe sot pasardhës të tyre. Gjylbegajt kanë pasur një degë që ka jetuar në Bushat, por pas konflikit me Bushatllinjtë është shpërngulur, duke lënë sigjurmë në atë zone njëzbulim të para disa dekatave që sipas toponimitquhej banjoja e Gjylbegajve dhe lidhej me "Kronin (kroin) e Çelepisë" nga ku furnizohej me ujë.

Kryengritjet

Vendosja në Shkodër i përketfundit të shekullit të XVIII-të pinjollë të kësaj familjeje qenë aktive në lëvizjet politike e të armatosura të kohës, duke lënë emër në historinë e qytetit të lashtë të Shkodrës. Sulejman Gjylbegu ( Gramshi) ka marrë pjesë në kryengritjen e Hamz Kazazitnë vitin 1835 kundër Hafiz Pashësku dhe është plagosur.Ai thuhet se mbi kalë dilte e mblidhte njerëz në Pazarduke i bindur të mbyllnin dyqanet dhe të merrnin armët për të luftuar dhe mos pranuar që të dërgoheshin vullnetarë shkodranë në luftë përkrah Turqisë. Djali i tij, Hysen Begu, merr pjesë në luftën e Miletit, në vitin 1878 , bashkë me xhaxhanë e tij Molla Begun dhe kushëririn Sela Begun. Por me gjithë se në një kohë luftash familja Gjylbegu merrej kryesisht me tregti, disa me grumbullim leshi e disa me grumbullim lëkurësh për eksport . Një pjesë tjetër e tyre u mor me tregti manifakture (pëlhurash) përveç tokave që kishin.Hysen Begu dhe trashëgimtarët e tij, deri para 1944 janë konsideruar si latifondistët e parëtë rrethit të Shkodrës.

Pjesëtarë të familjes morën pjesë aktive në Luftën Nacional Çlirimtare

Gjylbegasi, një nga 5 Herojtë e Vigut

Beqir Gjylbegaj ka qenë i njohur pasi ishte në xhandarmarinë e Kongresit të Lushnjes, madje thuhet se nën komandën e tij kontrolli i qeverisë së dalë nga ky kongres u shtri deri në Pogradec. Beqir Gjylbegu ishte përkah Fan Nolit në revolucionin e qershorit 1924, dhe më pas u internua nga Ahmet Zogu, në Krajë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte për një kohë tëshkurtër nënprefekt në Ulqin, më pas u bashkua me lëvizjen nacional çlirimtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore nga kjo familje pati dy dëshmorë, Eljaz Gjylbegun, dëshmor i vrarë në Prishtinë, vëllai i Beqir Gjylbegut dhe Naim Gjylbegun, Hero i Popullit , një prej 5 herojve të Vigut, nip i Beqir Gjylbegut. Beqir Gjylbegaj, në vitet 50-të ishte kryetar i komitetit ekzekutiv të Sarandës, si dhe deputet i kuvendit popullor deri në vitin 1972.

Njeriu që shpalli 2 herë pavarësinë në Shkodër

Ngritja e flamurit shqiptar në kalanë e Rozafës, në mars 1914, u përshëndet me 101 të shtëna topi

Historia e një qyteti si Shkodra, e mbushur me revolta e kryengritje, rrethime e rirrethime, u ka dhënë mundësinë shumë atdhetarëve, të futen në faqet e historisë së luftrave shqiptare për pavarësi. Një më të rëndësishmit, është njeriu që ngriti flamurin e pavarësisë më 1913, një vit pasi Shqipëria kishte shpallur mëvetësinë, ndërsa Shkodra iu dorëzua tradhtisht malazezve. Njeriu që i dha "pavarësinë" Shkodrës më 1913, ishte Muharrem Gjylbegu, kryetari i bashkisë së kryeqendrës së veriut të Shqipërisë.

Pavarësia e parë

Më 1910, ai hyn në skenën politike si kryetari bashkisë së Shkodrës, duke lënë një emër të mirë në të gjitha shtresat e popullsisë. Përpara se të zgjidhej kryetar bashkie, ai ishte tregtar pëlhurash që bënte rrugën e Stambolit, Selanikut e Manastirit, aktivitet këtë që më pas ia la djemve dhe vëllait së tij. Ai qëndroi në detyrë deri në vitin 1916 dhe pati fatin që të ngrejë me dorën e tij, për herë të parë në qytetin e Shkorës, flamurin e pavarësisë më 28 nëntor 1913 në ballkonin e bashkisë së qytetit. Duke qenë se më 1912, Shkodra ishte e rrethuar, në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, Muharrem Gjylbegu i kërkoi qeverisë ndërkombëtare që administronte qytetin që të ngrihej flamuri i pavarësisë në Shkodër, tek ballkoni i ndërtesës së bashkisë. Kjo u prit me një manifestim masiv nga populli i Shkodrës, i cili ende nuk kishte mundur të shihte shqiponjën dykrenore të valëvitej në qytet.

Pavarësia e dytë

Pasi Shkodra ishte përcaktuar se do të qëndronte brenda kufijve të Shqipërisë, caktimi i të cilave i kishin dhënë pjesën më të madhe të liqenit malazezve Gjylbegu që vazhdonte të ishte kryetar i bashkisë së qytetit dhe që kishte ndihmuar atë sa mundej gjatë rrethimit, vendosi të ngrinte flamurin në Rozafatin e lashtë.Ngritja e flamurit shqiptar nga Muharrem Gjylbegu në kalanë e Rozafës, në mars 1914, u përshëndet me 101 të shtëna topi të vendosur në kodrat e Tepes. Të dy këto "pavarësi" të vogla por të shënuara për jetën politike të Shkodrës, gjetën pasqyrim dhe në shtypin e kronikat e kohës. Muharem Gjylbegu u rizgjodh kryetar bashkie dhe hapi shkollën e parë popullore zyrtare. Ajo u mobilua me të gjitha mjetet mësimore nga bashkia dhe ishte zanafilla e shkollës kombëtare në Shkodër.

Rrethimi

Muharrem Gjylbegu diti t'i shërbente qytetit në momentet e tij më të vështira e më të rrezikshme, sidomos në vitin 1912, kur Shkodra ishte nën sulmin e predhave serbo- malazeze. Ai përpiqej t'i siguronte bukën popullit të qytetit të rrethuar dhe shkonte vetë nëpër fshatra për të siguruar drithëra për qytetin dhe pse rrezikonte të binte rob në duart e armikut. Muharrem Gjylbegu, në krye të bashkisë së Shkodrës, pati fituar nderimin dhe respektin e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkodër dhe të komandantit turk Hasan Riza Pasha. Qytetarët e tre besimeve fetare kishin simpati për kryetarin e bashkisë.

Në pushtimin austriak të Shkodrës në vitin 1916, ai rrëzohet nga pushteti, pasi nuk pranoi të vepronte ushtarakisht kundër interesave të popullit. Në demostratën e popullit të qytetit të Shkodrës dhe rrethinave të tij, kundër masave të marra nga komanda austriake e Shkodrës, Muharem Gjylbegu ishte pjesëtar i grupit organizator, u arrestua dhe u dënua me një vit burgim. Ai vdiq më 1943 duke u përcjellënga shumë qytetarë të Shkodrës, ndërsa vdekja e aktiviteti i tij në dobi të barazisë e lirisë së atdheut, gjetën pasqyrim në shtypin e kohës.

Ushtarakët

Njeriu me plisin ku shkruhej "Jam Shqiptar"

Një tjetër figure e nderuare dale nga familja e Gjylbegëve është dhe Hamit Gjylbegu, kapiten i ushtrisë shqiptare, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Stambollit, i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare që kur ishte student. Lindi më 1886 dhe Lufta Ballkanike e zuri në shërbim në ushtrinë e Janinës. Kur ishte student në Stamboll dhe vinte për pushime verore në Shkodër, gjatë udhëtimit vajtje e ardhje mbante në kokë një qeleshe të bardhë ku ishte shkruar "Jam shqiptar". Duke qenë oficer i aftë, turqit i ofruan qëndrimin atje në gardën mbretërore, por ai nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri. Ai shërbeu kudo ku i kërkohej dhe në Luftën e Koplikut në vitin 1920 u dallua për trimëri dhe si strateg. Kontribuon në Komitetin e Kosovës dhe përkrah qeverinë e Fan Nolit. Qeveria e Zogut e nxjerr në pension të parakohshëm, pasi ishte antizogist i njohur. Me një kulturë akademike, ai iu përkushtua krijimtarisë letrare duke botuar disa broshura me vjersha lirike, filozofike, vjersha për fëmijë, folklor e përkthime, pasi zotëronte disa gjuhë të huaja . Sipas atyre që e kanë njohur, pas çlirimit në vitin 1944 ai ka vazhduar të qëndrojë i mënjanuar , madje as ka votuar. Djali i tij Virtyti, vdiq në Maliq të Korçës. Nga familja Gjylbegaj dolën dhe ushtarakë të tjerë të aftë dhe pse pa akademi si Ismail Gjylbegu, i varur nga Zogu për ngjarjet e Vlorës në vitin 1932, si dhe Xhevdet,Jonuz, Beqir e Isuf Gjylbegaj.

Intelektualët

Gjylbegu që i fali biblotekën universitetit italian

Një figurë e nderuar e kësaj familjeje është dhe mësuesi i dalluar Ragip Gjylbegaj. Deri në vitin 1944 ai ishte mësues filloreje. Pas çlirimit ka qenë inspektor e drejtor shkolle në qytetin e Shkodrës, i dalluar si për aftësitë mësimdhënëse ashtu dhe organizimin si nepunës jashtëshkollor. Në shkollën e Parrucës, krijoi bandën shkollore e cila u pajis me uniformën përkatëse dhe arriti të japë koncerte e programe artistike jashtë qytetit, madje dhe jashtë vendit. Ka pasur pasion bibliotekat dhe në bibliotekën e tij personale ka pasur koleksione të plotagazetash e periodikësh shqiptarë. Në vitin 1995, biblioteka e tij mjaft e pasur u bë pronë e universitetit të Kozencës në Itali , dhe është baza e sektorit të albanologjisë së këtij universiteti. Të tjerëpjesëtarë të kësaj familjeje kanë dhënë kontributin e tyre në jetën shoqërore të qytetite të vendit siç janë mjekëtobstetër dhe pediatër, Ilir e Xhavit Gjylbegu , mjaft të njohur jo vetëm në Shkodër , por dhe në Tiranë. (Shekulli)

Kthehu Mbrapa

Albanian Times: Historia - "Beteja e Kosovës, viti 1389 dhe shqiptarët"

Burimet e kohës që ruhen në arkiva, kisha dhe biblioteka japin të dhëna krejtësisht të tjera nga ato që na i afron historiografia serbe.

Historiografia serbe vazhdimisht është përpjekur dhe po përpiqet që Kosovën gjatë sundimit të Nemanjidëve (fundi i shek. XII deri në vitin 1371) dhe në përgjithësi në periudhën para sundimit osman, ta paraqesë të banuar vetëm nga serbët. Pretendimeve të këtilla tendencioze një përgjigje të merituar shkencore u ka dhënë medievisti ynë J. Drançolli, i cili thekson: “Burimet e kohës që ruhen në arkiva, kisha dhe biblioteka japin të dhëna krejtësisht të tjera nga ato që na i afron historiografia serbe”.

Para se t`i paraqesim këto të dhëna, vlen të përmendet një konkludim shumë i qëlluar i studiuesit francez A. Dyselje, i cili pranon se Kosova gjatë shek. XIII-XIV ka qenë qendra ekonomike dhe politike e mbretërisë mesjetare serbe, por në mënyrë shkencore vëren se vendosja e një qendre të pushtetit politik dhe ekonomik në një territor të caktuar nuk garanton aspak, veçanërisht në mesjetë, karakterin etnik sundues të atyre që e kanë pushtetin politik. Në këtë mënyrë, ai merr shembull despotatin e vogël “serb” të Serit në Greqinë Veriore, i cili mundi të sundonte nga viti 1355 deri më 1371 një popullsi, pjesa më e madhe e së cilës ishte greke.

Prania e popullsisë serbe në Kosovë sipas burimeve të shkruara dëshmohet që në shek. XI, ndërsa në një farë mase fillon të shtohet në gjysmën e dytë të shek. XII dhe në fillim të shek. XIII, atëherë kur Kosova hyri në kuadrin e Shtetit të Nemanjidëve. Një rritje e dukshme e popullsisë serbe në Kosovë, pa dyshim, bëhet atëherë kur Serbia fitoi statusin e Perandorisë. Në atë periudhë kohore, popullsia e viseve veriore serbe filloi të depërtojë me të madhe në drejtim të jugut, pra edhe të Kosovës. Në çfarë raporti arriti ajo ndaj popullsisë vendase arbërore, nuk mund të thuhet kurrgjë.

Të dhënat burimore, po ashtu dëshmojnë se arbërit gjatë gjithë mesjetës vazhduan të jetojnë në trevat e tyre autoktone të Kosovës. Kjo provohet nga vetë dokumentet qirilike të shek. XIII-XIV, në të cilat, krahas antroponimeve shumicë serbe, hasen në masë të konsiderueshme edhe asi të pastra arbërore, si dhe arbërore të sllavizuara. Kur jemi te të dhënat burimore qirilike, vlen të përmendet se në to hasen edhe familje të përziera në aspektin antroponomik. Kështu p.sh., sipas një të dhëne që i përket viteve 1293-1302, mësojmë se në vendin Ship të Klinës, në mesin e banorëve të tij është edhe Dobrosllavi, bir i Gjinit. Rast të njëjtë hasim edhe në krisobulën e manastirit të Deçanit (1330) ku thuhet: “Gjoni dhe djemtë e tij, Radosllavi dhe Bogosllavi”. Nga të dy rastet shihet qartë se prindërit mbanin emra arbërorë, kurse djemtë e tyre emra sllavë (serbë), respektivisht emrin e serbit ka mundur ta mbajë edhe arbëri. Duke marrë parasysh faktin se pushteti politiko-kishtar ishte në duart e klasës politike-kishtare serbe, atëherë, lirisht mund të thuhet se arbërit plotësisht u janë nënshtruar formave të diskriminimit, me të vetmin qëllim që t`i sundonin më lehtë dhe tek e fundit nëpërmes antroponimisë së imponuar sllave t`i identifikonin si sllavë. Prandaj, antroponimia e tyre në masë të konsiderueshme u humb në atë sllave (serbe).

Prania e etnosit arbëror provohet edhe nga burimet latine, përkatësisht raguzane. Kështu, më 1369, përmenden tre tregtarë prizrenas që i kishin borxh Raguzës, dhe sipas emrave që mbanin (Liepur-Lepur, Lumasius-Lumi dhe Jovanich-Gjon) na dalin arbërorë. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe Dhimitër Drançin dhe presbit Gjinin nga Novobërda, të cilët më 1382 mbanin lidhje afariste me Raguzën. Prania e arbërve në Kosovë gjatë feudalizmit të zhvilluar, mund të shpjegohet edhe me disa shembuj nga sfera e toponimeve të përkatësisë arbërore. Vend të rëndësishëm në këtë drejtim zënë toponimet: Unjemir (Ujmiri i sotëm), Lloçan dhe fshati Arbanas. Në krisobulën e Stefan Dushanit të vititi 1348 (mbi themelimin e manastirit të shenjëtorëve Mihal e Gabriel në Prizren), zihen në gojë edhe një sërë fshatrash arbërorë: Gjinovci, Magjerci, Peggogllavci, Flokovci, Çruca, Çaparçi, Gonovci, Shpinadinci dhe Novaci, e mbi të gjitha aty arbërit përmenden me emrin e tyre etnik. Ky fakt jo vetëm që dëshmon praninë e popullsisë arbërore në Kosovë, por njëkohësisht, në aspektin juridik, atë e paraqet të nivelizuar me popullsinë serbe. Jo rastësisht shkurtazi përmendëm praninë e arbërve në Kosovë, sepse pikërisht në territorin e tyre u zhvillua beteja e famshme e Kosovës (15, përkatësisht 28 qershor 1389).

Beteja e Kosovës ishte një nga përpjekjet më të vendosura të popujve ballkanikë, për ta ndaluar ekspansionin e mëtejmë osman në Gadishullin Ballkanik. Për ta aritur këtë qëllim ata bashkuan forcat e tyre në një koalicion të përbashkët, të cilit i printe sundimtari serb Lazar Hreblanoviç dhe vendosën t`i bënin ballë ushtrisë osmane, e cila udhëhiqej nga vetë Sulltan Murati I dhe djemtë e tij, Bajaziti dhe Jakupi. Përgatitjet serioze, numri i madh i ushtarëve të ushtrive kundërshtare, rrjedhat e betejës, rezultatet dhe pasojat, kontribuan që ajo të hyjë në analet historike dhe njëkohësisht të shërbejë si motiv për krijimin e njërit nga ciklet më të mëdha dhe më të bukura të epit ballkanik. Në fushatën e tyre për pushtimin e brendisë së Gadishullit Ballkanik, ushtritë osmane të kryesuara nga Sulltan Murati, më 1386, depërtuan në Serbi, ku pushtuan Nishin. Më pas, te Ploçniku (sot fshat pranë Prokuples), Murati u ndodh përpara sundimtarit të Serbisë, Lazarit. Ky i fundit nuk guxoi të konfrontohej në një betejë të hapur me Sulltanin, por i premtoi Muratit dhënien e një tributi, si dhe një trupe ndihmëse ushtarake prej 1000 vetësh, mirëpo shumë shpejt hoqi dorë nga premtimi i dhënë.

Në këtë kohë edhe Shteti i Balshajve kalonte qaste të vështira. Në të vërtetë për shkak të veçantisë së brendshme feudale dhe nën sulme të vazhdueshme osmane, ku për pasojë territori i Gjergjit II Balsha u ngushtua bukur shumë (përfshinte vetëm Shkodrën, Drishtin, Ulqinin dhe Tivarin), dhe për të mos humbur krejtësisht zotërimet e mbetura, ai pranoi që të hynte nën vasalitetin osman. Sipas Orbinit, kjo u bë në vitin 1386, respektivisht para 27 janarit të vitit të njëjtë, sepse po të ishte në këtë kohë në armiqësi me osmanët, Gjergji nuk do të mund t`u siguronte liri tregtarëve raguzanë në trevat e tij. Nga ana tjetër mospërmendja e osmanëve nga ana e Gjergjit, lë vend për t’u konkluduar se ai e kishte pranuar sovranitetin osman vetëm formalisht. Duket se, për të hequr qafe sovranitetin formal osman, Gjergji planifikoi t’u jepte atyre një godtije vendimtare. Në këtë drejtim, përderisa në njërën anë i nxiti dhe u premtoi ndihmë osmanëve kundër Bosnjës (me mbretin e së cilës, Tvërtkon, deri atëherë ishte në marrëdhënie të këqija), në anën tjetër fshehurazi vuri në lëvizje planin e dëshiruar antiosman, duke u afruar me vjehërrin e tij Lazar Hreblanoviqin dhe me Tvërtkon. Njëkohësisht, planet e tij duhet t’i jenë bërë të njohura edhe Raguzës, për arsye se më 23 gusht 1388, aty u ndodh i deleguari i Gjergjit, Gjoni, i cili siç thuhet “erdhi për shkak të bisedimeve me osmanët, për të mirën tonë”.

Planet antiosmane arriti t’i konkretizojë në verë të vitit 1388. Forcat osmane, nën komandën e Lala Shahinit, që në këtë kohë depërtuan në Bosnjë, u thyen rëndë nga forcat aleate të Tvërtkos, Gjergjit II Balshës dhe Lazarit. Në këtë disfatë të osmanëve, rolin udhëheqës e kishte pasur Gjergji, sepse, siç pohon Bitlisi, ai ishte bërë shkak për vrasjen e 10 deri 15 mijë luftëtarëve. Pas kësaj disfate të osmanëve, Gjergji duhet të ketë hequr qafe sovranitetin formal osman, sepse Neshriu, duke përshkruar rrethanat që sollën në konfliktin e Bosnjës, Gjergjin II Balshën e cilësonte “të nënshtruar të sulltanit”, kurse Bitlisi, duke përshkruar përgatitjet e pjesëmarrësve udhëheqës të Koalicionit ballkanik për ditën e mynxyrës së Kosovës (1389), e radhitëte atë në mesin e “banditëve” dhe të “pafeve”. Mospërmbushja e detyrimeve nga ana e Lazarit, disfata në Bileqe të Bosnjës dhe roli vendimtar i Gjergjit II Balshës në atë disfatë që iu shkaktua osmanëve, u bë, siç thotë kronisti osman Idris Bitlisi, “e domosdoshme dhe detyrë ndaj vullnetit perandorak që të përgatiteshin për të vënë në vend nderin e ushtarëve të vrarë dhe të likuidonin intrigat dhe ngatërresat e kokëfortëve”. Pra, siç mund të shihet, parapërgatitjet që u paralajmëruan nuk kishin për qëllim që në një betejë vendimtare të thyenin vetëm qëndresën e sundimtarit serb Lazarit, siç pretendon historiografia serbe, por, në fakt synohej që të thyheshin sundimtarët ballkanikë.
Përgatitjet e osmanëve në krye me Sulltan Muratin, për një ndeshje vendimtare me sundimtarët ballkanikë, sipas të gjitha gjasave kishin filluar që në fund të vitit 1388. Murati dha urdhër perandorak, ku u bënte thirrje komandantëve të Anadollit dhe të Rumelisë, respektivisht të gjithë bejlerbejve të vilajeteve, djemve të tij, Bajazitit dhe Jakupit, disa princave nga Azia e Vogël, si dhe sundimtarëve të krishterë, të cilët kishin pranuar vasalitetin ndaj shtetit osman, që me forcat e tyre të mblidheshin dhe të drejtoheshin për t’i mposhtur sundimtarët ballkanikë. Përveç të sipërpërmendurve, Sulltanit i erdhi ndihmë “edhe nga persët edhe nga arabët”, dhe në këtë mënyrë u krijua një ushtri e madhe në krye të së cilës qëndronin Sulltan Murati dhe dy djemtë e tij, Bajaziti dhe Jakupi. Përmendëm pjesëmarrjen e këtij spektri të gjerë forcash në kuadër të ushtrisë osmane, nga shkaku se në historiografinë serbe, jo vetëm që anashkalohet kjo e vërtetë, por nga ana tjetër synohet që të minimizohet Koalicioni ballkanik, duke theksuar se ”lajmet e mëvonshme osmane janë krejtësisht fantastike, ku, sipas të cilave, Lazarin e ndihmuan edhe… arbërit, vllehët dhe hungarezët”, dhe gjithnjë sipas tyre, “duhej ta paraqitnin fitoren osmane sa më të rëndë dhe sa më të rëndësishme”. Po të kishte qenë me të vërtetë ashtu, atëherë kronistët osmanë nuk do të përshkruanin edhe spektrin e gjerë të ushtrisë osmane /duke përmendur si pjesëtarë të saj edhe turqit nga principatat selxhuke të Kastamonisë dhe të Karamanisë, të cilat hynë nën mbrojtjen e Sulltan Muratit vetëm formalisht (1387), ngase ato edhe më tej ruajtën autonominë e tyre, dhe madje gjatë shek.XV u gjendën në luftë me shtetin osman, përderisa u pushtuan prej tij; si dhe ndihmën që i erdhi asaj nga persët dhe arabët, por do të kënaqeshin me përshkrimin e pjesëmarrësve të Koalicionit ballkanik.

Me qëllim që ta kishin më të lehtë këtë fushatë, forcat e mbledhura të ushtrisë osmane mendonin që atë ta nisnin në pranverë, prandaj dimrin e kaluan në Pllovdiv të Bullgarisë. Përgatitjet e Muratit i shqetësuan dhe i vunë në lëvizje sundimtarët e vendeve të ndryshme të Ballkanit. Për t`i bërë ballë rrezikut, zotërit e tyre lanë mënjanë grindjet dhe konfliktet e vjetra dhe formuan një koalicion nën kryesinë e sundimtrit serb, Lazar Hreblanoviçit. Gjergji II Balsha, i cili që prej kohësh e kishte ndjerë rrezikun osman, siç duket shumë kohë përpara Betejës së Kosovës, d.m.th. qysh në vitin 1388, ishte angazhuar në përgatitjen e koalicionit antiosman. Vitin në fjalë, atë së bashku me Vuk Brankoviqin, i ndeshim te vjehërri i tyre Lazari. Prandaj, sipas kësaj të dhëne mund të dyshohet se ata u morën vesh për një aksion të përbashkët kundër osmanëve.

Pjesëtarët e Koalicionit patën kohë të mjaftueshme për t`u përgatitur dhe për t`u mbledhur në momentin e duhur. Kjo dëshmohet nga vetë kronistët osmanë, të cilët flasin mbi traktativat diplomatike ndërmjet të të deleguarve të Muratit dhe udhëheqësit të Koalicionit, Lazarit, ku preken çështjet për zgjidhjen e konfliktit të tyre dhe ku njëkohësisht mësohet për përgatitjet ushtarake të palëve kundërshtare. S`ka dyshim se një rol udhëheqës në përgatitjen e Koalicionit ballkanik patën edhe arbërit. Në këshillimin për mënyrën e strategjisë së luftës (të cilën do ta zbatonin sundimtarët ballkanikë kundër osmanëve) të zhvilluar në prag të betejës, jo rastësisht kaloi propozimi i Jorgjit (Gjergj Kastriotit- gjyshi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut), që konflikti me osmanët të zhvillohej ditën dhe jo natën, siç kishte propozuar udhëheqësi i Koalicionit, Lazari. Jo vetëm që gjykimi i tij qe i drejtë, por edhe miratimi i propozimit të tij në mënyrë unanime nga sundimtarët pjesëmarrës (duke përfshirë këtu edhe vetë Lazarin), është një dëshmi tjetër se sa autoritativ kishte qenë ai në mesin e pjesëmarrësve të Koalicionit, aq më tepër kur dihet se kishte një forcë të rëndësishme ushtarake.

Le të ndalemi tani pak në çështjen e dilemave që ekzistojnë në historiografi lidhur me identifikimin e Jorgjit dhe me numrat e ushtarëve të ushtrive kundërshtare. Disa studiues Jorgjin e identifikojnë si Gjergji II Balsha, kurse disa studiues të tjerë si Gjergj Kastrioti. Ne konsiderojmë se mund të mbështetet qëndrimi i dytë, ngase kronistët osmanë Gjergjin II Balshën e cilësuan “Sundimtar të Shkodrës Arbërore”, por pa i shtuar këtij emërtimi emrin e tij, me ç’ka u la vend për t’u kuptuar se nuk bëhet fjalë për Gjergjin II Balshën, por për Gjergj Kastriotin. Po ashtu duhet shtuar se disa studiues kanë shprehur mendimin se gjyshi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Gjergji, do të jetë quajtur Gjon, kurse studiues të tjerë duke u mbështetur në njoftimet e Gjon Muzakës, se i ati i Skënderbeut quhej Pal, përcaktohen për këtë emër. Ndërsa lidhur me numrat e ushtarëve të ushtrive kundërshtare në burimet osmane dhe në ato serbe ata janë tepër të ekzagjeruara, ku për pasojë në shkencën historiografike janë paraqitur mendime të ndryshme. Ne konsiderojmë si më të pranueshëm konkludimin e studiuesit P. Thëngjillit, i cili duke analizuar këtë fenomen ka ardhur në përfundim se numri prej 20000-25000 ushtarësh në anën serbe (Koalicionit) dhe prej 30000-40000 ushtarësh në anën osmane, i paraqitur nga studiuesit serbë, me qëllim që të minimizohet Koalicioni ballkanik, është tepër i zvogëluar. Studiuesi në fjalë ka lënë vend që të kuptohet se duhet mbështetur numra më të mëdhenj, nga ata që na i ofrojnë studiuesit serbë. Kurse ne konsiderojmë se numrat në fjalë duhet zmadhuar edhe ca, ngase njëri nga kronistët osman, siç është Oruçi, duket se është më afër realitetit. Ai thekson: “Ai (Sulltani-Q.D.) me pesëdhjetë-gjashtëdhjetëmijë ushtarë shkoi dhe doli në fushën e Kosovës”).

Pas trajtimit të dilemave në fjalë i rikthehemi vazhdimit të problematikës së sipërpërmendur, gjegjësisht rolit udhëheqës që patën arbërit në përgtitjen e Koalicionit ballkanik. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe rolin e rëndësishëm të princit nga Kosova, Milosh Kopiliqit (kronisti osman Enveri, Milosh Kopiliqin e përmend me titujt: “Princ” dhe “Ban”; humanisti raguzan Feliks Petançi, “Princ Ilir”; humanisti arbëror nga Kosova, ipeshkvi i Ulqinit, Martin Seguni, “Baron”; arqipeshkvi i Tivarit, Andrea, “Ban”; kurse humanisti ynë Marin Beçikemi e vë atë në cilësinë e “Perandorit të Mizisë”), i cili për kryezot kishte Vuk Brankoviqin. Se sa personalitet me peshë kishte qenë ai në radhët e krerëve të Koalicionit, vërtetohet nga një e dhënë e Enverit, ku thuhet: “Lazari i dha Miloshit një gotë me pije duke i thënë - thonë për ty që je bërë tradhtari im…- Miloshi i`u përgjigj - nesër ke për ta parë tradhtarin, ke për të parë nëse jam njeri i drejtë apo tradhtar.- Lazari në atë moment e mori në dorë gotën e dollisë dhe e piu”. Përshkrime afërsisht të ngjashme të këtij momenti na ofrojnë edhe humanistët raguzanë Feliks Petançi, A. Cerva – Tuberoni dhe Mauro Orbini, si dhe humanisti slloven Benedikt Kuripeshi. Ngritja e dollisë nga ana e Lazarit, vetëm atëherë pasi u sigurua për besnikërinë e Kopiliqit, flet qartë se ai ishte një nga princat kryesor të Koalicionit, dhe një prestigj të tillë e kishte arritur, padyshim, pasi që ishte përfaqësuar me një forcë të rëndësishme ushtarake.

Po pse u vendos që beteja të zhvillohej pikërisht në fushën e Kosovës? Rrethanat e karakterit ushtarak e strategjik, si dhe fakti se agresioni osman tashmë i kërcënonte drejtpërsëdrejti trevat e Ballkanit Qendror, bënë që beteja të zhvillohej në Kosovë, në afërsi të Prishtinës, në një rajon ku mund të organizoheshin më mirë ushtritë e shteteve feudale ballkanike, por që ishte njëkohësisht një pikë ku kryqëzoheshin rrugët nga mund të depërtonin më tutje osmanët. Në rrethana të këtilla, ushtritë e Koalicionit, të kryesuara nga sundimtarët e tyre, në mëngjes të 15, përkatësisht të 28 qershorit 1389 zunë nga një pozicion të veçantë në fushën e Kosovës. Në burimet osmane, të cilat me të drejtë janë cilësuar si shumë më të pasura se burimet serbe e bizantine, dallohen dy grupe kryesore lidhur me pjesëmarrësit në betejë: nga njëri grup, pjesëmarrësit përmenden në mënyrë të papërcaktuar, ku thuhet se krahas ushtrive të Lazarit morën pjesë edhe arbërit, boshnjakët, vllehët, çekët, hungarezët, polakët dhe frëngjit; dhe nga grupi tjetër, pjesëmarrësit përcaktohen drejtpërsëdrejti, si më kryesorë serbët, arbërit dhe boshnjakët, duke i dalluar këta nga forcat e tjera ndihmëse.

Ushtria e Koalicionit u rreshtua në fushën e luftimit, duke pasur në qendër Lazarin, djathtas Vuk Brankoviqin dhe majtas fisnikun boshnjak Vlatko Vukoviqin dhe atë arbëror Dhimitër Jonimën, zotërimet e të cilit shtriheshin në zonën midis Lezhës dhe Rrëshenit, kurse kronisti osman Mehmet Neshriu, e quan atë i biri i Jundit, Dimitri. Përndryshe prijësat e tjerë ballkanikë dhe arbërorë ishin rreshtuar në të dy krahët e ushtrisë së Koalicionit. Nga kjo shihet se ndonjë nga zotërit arbëror (kuptohet jashta trevës së Kosovës) merrte pjesë me forcat e veta pikërisht në krahun e djatht, ndërsa forcat e arbërve të Kosovës, logjikisht ishin në kuadër të forcave të Vukut, dhe shikuar nga këndvështrimi i kritikës historike, pse aty, si vasal i Vukut, me forcat e veta të mos ishte edhe Milosh Kopiliqi. Rreth pjesëmarrjes, apo mospjesëmarrjes së Gjergjit II Balshës në Betejën e Kosovës, është shkruar bukur shumë në historiografi. Studiuesit sllavë kryesisht e mohojnë pjesëmarrjen e tij. Ndërsa, historiografia shqiptare e mbështet në tërësi pjesëmarrjen e tij.

Nëse u besojmë kronikave osmane, atëherë del qartë se ai ka marrë pjesë në betejë. Në të vërtetë, duke marrë parasyshë faktin se Gjergji II Balsha në kronikat osmane cilësohet “Sundimtar i Shkodrës Arbërore” dhe “Sundimtar i Shkodrës së Arbërve”, atëherë, të dhënën që na e ofron Bitlisi lidhur me përgatitjet e pjesëmarrësve të Koalicionit ballkanik për ditën e mynxyrës së Kosovës, në mesin e të cilëve përmend “Sundimtarin e Arbërve”, s’është gjë tjetër, veçse është fjala për Gjergjin II Balshën. Pjesëmarrjen e tij e mbështesin edhe njoftimet e këngëve epike serbe. Sipas tyre, ai i ishte përgjigjur thirrjes së Lazarit për ndihmë, duke shkuar në Kosovë me një ushtri prej 6000 vetësh. Në njërën nga këngët në fjalë madje thuhet se kishte marrë pjesë në betejë “Balsha me trimat e Zetës dhe arbërorët e rreptë”. Në Betejën e Fushë-Kosovës morën pjesë edhe sundimtarë të tjerë të fuqishëm arbërorë, si: sundimtari i Despotatit të Beratit, Theodori II Muzaka, i cili me vete kishte një ushtri të madhe arbërore; zotër të tjerë të Arbërit, në mesin e të cilëve ishin edhe zotër feudal arbërorë të Himarës dhe të Epirit. Arbërit kishin mbushur gjithashtu edhe radhët e shigjetarëve të ushtrisë së Koalicionit, të cilët ishin të parët që filluan betejën.

Sipas kronistëve osmanë, beteja filloi në mëngjes. Të njëjtën gjë e pohon edhe Anonimi nga Firenca, kurse sipas kujtimeve të Konstandin Jeniçerit, ajo filloi të mërkurën dhe përfundoi të premten. Konfrontimi ndërmjet ushtrive kundërshtare qe i ashpër. Pas disa sukseseve fillestare të ushtrisë së Koalicionit, ku ajo theu krahun e majtë të ushtrisë osmane që udhëhiqej nga Jakupi, me ndërhyrjen e Bajazitit që komandonte krahun e djathtë, sukseset ushtarake u kthyen në të mirë të osmanëve, të cilëve përfundimisht u takoi fitorja. Por humbjet në njerëz nga të dy palët ishin të mëdha, saqë, po të hidhej vështrimi, në çdo anë nuk shihej gjë tjetër veçse koka të prera. Në mesin e të rënëve mbetën edhe dy udhëheqësit e betejës, Murati dhe Lazari. Aty u vranë edhe Theodori II Muzaka dhe vrasësi i Sulltanit, Milosh Kopiliqi.

Pas vrasjes së Muratit, Bajaziti u tëhoq për në Edrene me qëllim që ta siguronte marrjen e fronit të zbrazur. Te pjesëmarësit e Koalicionit ballkanik kjo tërheqje krijoi përshtypjen se osmanët u thyen. Kështu, mbreti i Bosnjës, Tvërtko, në letrën e tij të shkruar disa ditë pas betejës (1 gusht 1389) njoftonte qytetin e Trogirit, se ”duke fituar me triumf fushën e luftës, u shaktuam disfatë atyre (osmanëve) … i vramë, saqë nga ata mbetën pak të gjallë”. Lajmi i fitores duket se ishte përhapur me të madhe. Për këtë dëshmojnë: a) Në letrën e datës 20 tetor 1389 që qytet-shteti i Firencës i dërgonte Tvërtkos, (në përgjigje të njoftimit të tij për fitoren mbi osmanët) i bënte të ditur se këtë lajm të gëzuar e dinte që më parë, dhe se atë e kishte marrë përmes zërave të përhapura dhe letrave të shumta. Prandaj e dinte mirë ngjarjen e 15 qershorit, ku në fushë të Kosovës kishte mbetur i vrarë edhe Murati, kurse në atë betejë të lavdishme, fitorja i kishte takuar Mbretërisë; b) Udhëpërshkruesi francez i shek. XIV, Filip de Mezier, në veprën “Ëndrra e Pelerinit të moçëm”, të shkruar në muajin tetor të vitit 1389, theksonte: “Murati… u mposht plotësisht nga të krishterët”. Në fakt, këta ishin përshtypje të gabuara, pasi, siç kemi cekur më lart, fitorja u takoi osmanëve, të cilëve njëherit iu hapën dyert për të depërtuar në pjesët e Ballkanit Veriperëndimor.

Më lart, kalimthi përmendëm se në betejë morën pjesë edhe arbërit e Kosovës. Por, problemi i pjesëmarrjes së tyre në betejë është prekur pak në historiografi, sepse mungojnë të dhënat historike të drejtpërdrejta mbi këtë problematikë. Në qoftë se më lart dëshmuam për praninë e arbërve në Kosovë, atëherë ata nuk do të mund të qëndronin të mënjanuar dhe të mos merrnin pjesë në ngjarjet e mëdha politike-ushtarake të kohës, të zhvilluara në truallin e tyre autokton. Mospërmendja në mënyrë të drejtpërdrejtë në burimet historike e pjesëmarrjes së tyre në betejë, shpjegohet me faktin se autorët e kohës që ishin sllavë, bizantinë e osmanë janë kënaqur me paraqitjen e pjesëmarrjes së formacioneve politike-shoqërore e të sundimtarëve të tyre, kurse, si zakonisht, nuk i kanë marrë parasysh masat popullore. Ajo është mbuluar me paraqitjen e pjesëmarrjes në luftë të sundimtarit serb të Kosovës, Vuk Brankoviqit dhe ushtrisë së tij.

Në favor të këtij vlerësimi, vlen të përmendet e dhëna e Shën Denisit, ku thuhet: ”Mbreti i Kosovës mblodhi një ushtri jo vetëm nga feudalët, por edhe nga popullsia e rëndomtë” d.m.th. arbërore. Përkundër faktit se kronika ka të bëjë me Betejën e Rovinës të vitit 1395, përmendja e pjesëmarrjes së popullsisë vendase në një betejë jashtë territorit të saj, është një sinjal i fortë se popullsia në fjalë do të ketë marrë pjesë edhe më masovikisht (në kuadër të ushtrisë së kryezotit të saj, Vuk Brankoviqit) në Betejën e Kosovës, ngase ajo u zhvillua pikërisht në territorin e saj. Humanisti raguzan Tuberoni, nënshtetasit e Lazarit i quan dardanë, ilirë dhe maqedonas, ndërkaq Lazarin mbret të dardanëve, të cilët gjatë betejës mbroheshin me aq guxim, saqë turqit mezi bënin ballë. S`ka dyshim se është fjala për popullsinë arbërore të Kosovës, që autori e përmend me emrin e saj të vjetër. Se arbërit e Kosovës kishin marrë pjesë masovikisht në betejë, dëshmohet edhe nga një e dhënë tjetër, ”despoti Lazar i Sërbisë, bullgarët … dhe sundimtarë të Arbërit nga Dardania … u mblodhën … u hapën luftë turqve, por Lazari dhe shumë të tjerë humbën jetën në betejë”. Tek e fundit, Filip de Mezier, jorastësisht këtë betejë e vendosi në pjesët e Arbërit, me çka la vend që të kuptohet drejt karakteri etnik arbëror i Kosovës, pasi kuptimi gjeografik, parimisht nuk e mohon kuptimin etnik.

Është e vërtetë se përmes traditës popullore nuk mund të ndërtohet historia, posaçërisht nëse ajo nuk gjen mbështetje në burimet historike. Por, tradita jonë popullore që i kushtohet Betejës së Kosovës, me një kuadër të hollësishëm të ngjarjeve për: organizimin dhe nisjen e ushtrive osmane nga Anadolli, itinerarin e tyre në Ballkan, marshin nëpër Selanik e Shkup dhe arritjen në Fushë-Kosovë; si dhe për zhvillimin e luftimeve, vrasjen e Sulltan Muratit dhe fundin e Miloshit, gjen një mbështetje pikërisht në burimet historike osmane, të cilat poashtu na njoftojnë për këto ngjarje. Prandaj, si e tillë, ajo mund të merret në konsideratë në trajtimin e ngjarjeve për këtë betejë. Pikërisht pjesëmarrjen e arbërve të Kosovës në këtë betejë e dëshmon ekzistenca e këngës së vjetër arbërore – shqiptare mbi Betejën e Kosovës, që në fakt është këngë e popullsisë vendase arbërore të Kosovës, sepse të gjithë botuesit e varianteve të ndryshme të këngës në fjalë, japin shënime të qarta se personat nga të cilët ata i kanë mbledhur këto këngë, që të gjithë janë nga Kosova. Pra kënga lindi në Kosovë, sepse popullsia e saj mori pjesë në betejë. Vargjet e fundit të këngës popullore arbërore - shqiptare flasin për largimin e një pjese të popullsisë arbërore të Kosovës pas disfatës në betejë. “Një çik oms (d.m.th. të ëmës) ça kish pas thon
- Ku po shkojmë mori non?
- Na po ikim prej turku, i ka thon
- E kur vim ko, mori non?
- Kur çartojet turku, sikur na”

Mendojmë se ky emigrim mund të gjejë mbështetje në faktin se, qysh në vitin 1390, në Raguzë tanimë jetonte familja Kopiliqi, aq më tepër kur dihet fakti se përveç ekzistimit të oazave arbërore që jetonin gjatë gjithë mesjetës në pjesën jugore të bregdetit Adriatik gjer në Raguzë, si dhe në prapatokë (pra, edhe në troje të Bosnjës e Hercegovinës, si dhe të Malit të Zi) gjatë shekujve XIV-XV në trojet e përmendura, veçmas në Raguzë, ndeshim shumë mërgimtarë arbërorë, të cilët lëshuan atdheun e tyre për shkaqe të ndryshme. Pjesëmarrja e arbërve të Kosovës në betejë mund të shtrihet deri aty sa të pretendohet me të drejtë e të diskutohet edhe për përkatësinë etnike arbërore të Milosh Kopiliqit, përndryshe hero i Betejës së Kosovës. Emri dhe mbiemri i tij ka zgjuar interes që prej kohësh, që së paku duke e analizuar atë në dritën e të dhënave antroponomike t`i afrohet zgjidhjes së çështjes së përkatësisë së tij etnike. Por, në këtë drejtim, historiani serb i shek. XVIII, P. Julianac, më 1765, nuk zgjodhi kritere (për ta identifikuar atë më lehtë si serb - Q.D.) dhe ia tjetërsoi mbiemrin nga Kopiliq /Kopil(i) ose Kobil(i) më vonë e ka marrë sufiksin sllav Kopil(iq) – Kobil(iq)/ në Kobiliq - Obiliq, term i cili u pranua nga historianët pasardhës të historiografisë serbe.

Përkundër faktit se mbiemri i Miloshit te kronisti osman Ashik Pashazade i shkruar me grafinë osmane, në radhë të parë mund të lexohet si Kopila e pastaj Kobila, studiuesit G. Elezoviq dhe A. Olesnicki, në rastin konkret përcaktohen dhe përdorin variantin Kobila, kuptohet që në bazë të termit serb kobila-pelë, të lihej vend që përkatësia e tij etnike të kërkohej vetëm në mesin e serbëve. Mirëpo, studiuesi K. Jireçek, lidhur me këtë problematikë, që prej kohësh me të drejtë sinjalizonte se në shekullin XVIII emri që rridhte nga pela ishte i pahijshëm, prandaj e tjetërsuan, duke i dhënë për bazë termat (serbë) obilan dhe obilje. Nga ana tjetër, rezultatet shkencore nga fusha e gjuhësisë, megjithatë dëshmojnë origjinën thjeshtë arbërore të emrit dhe mbiemrit të tij. Kështu, prapashtesat osh, ush dhe oshe janë të përhapura sot e kësaj dite në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Edhe rrënja Mil (Mill) lidhet me emrat shqiptarë, si, bie fjala, Mëhill, Mhill, Milo, (humanisti raguzan F. Petançi e përmend Miloshin me emrat: Milon dhe Milo) dhe diç të ngjashme.

Studiuesi ynë E. Çabej duke analizuar përkatësinë gjuhësore të një varg fjalësh pohon: "Një problem më vete përbëjnë disa fjalë që janë të përbashkëta për shqipen, sllavishten ballkanike e rumanishten, pjesërisht dhe për greqishten e re, fjalë të cilat kryesisht me ndërmjetësinë e rumunëve kanë depërtuar edhe në disa gjuhë të tjera, si në çekishten, sllovakishten, polonishten e ukrainishten. Hyjnë aty ndër të tjera: balgë, buzë, gushë, katund dhe kopil". Studiuesit F. Miklosiq dhe P. Skok mendojnë se bëhet fjalë për term (d.m.th. kopil) me prejardhje shqipe, përkatësisht për një huazim nga shqipja. Në të vërtetë, emri Kopil është shumë i hershëm, dhe në dokumente të shkruara përdoret në krisobulën e Shën Shtjefnit të Banjskës së Kosovës në vitin 1313, kurse si Kipil haset në fshatin Çabiq, i regjistruar në krisobulat e Deçanit. Përndryshe, supozohet se emri Kopil ka prejardhje iliro-thrakase, i cili në gjuhën e vjetër arbërore-shqiptare ka kuptimin e fëmijës të cilit nuk i dihet prindi-babai, ndërsa në gjuhën rumune ka kuptimin e fëmijës. Në këtë drejtim, duket se enigmën e ka zgjidhur studiuesi J. Drançolli, i cili pohon: “Emri Kopil, gjithashtu është një emër me prejardhje thjeshtë shqiptare. Përveç të tjerave, sot në shqipe fjala kopil, ka kuptimin e sythit të mbirë në një rrënjë, trung a në degë të një bime”.

Është e njohur se në traditën mesjetare fshati merrte emrin e zotërisë e së këndejmë fshati Kopiliq i Drenicës, përgjithësisht njihet si vend i Milosh Kopiliqit, aq më tepër kur këtë fshat (përkatësisht Kopiliqin e Epërm dhe Kopiliqin e Poshtëm) e hasim në regjistrin osman të vitit 1455, kushtuar krahinës së Brankoviqëve. Përkatësia thjesht arbërore e heroit të betejës, dëshmohet edhe nga vetë kënga arbërore - shqiptare për Betejën e Kosovës, ku ai del si figurë kryesore e këngës. V. Çajkanoviq duke shpjeguar motivet e këngës arbërore – shqiptare, të botuar nga ana e G. Elezoviqit, e karakterizon atë, “epopeja shqiptare… nuk është gjë tjetër veçse kënga për Miloshin”. Ai më tej shton se gjatë qëndrimit të tij në afërsi të Elbasanit, në rrethanat e luftës ballkanike (1912), i kanë treguar për disa shqiptarë vendas se janë pasardhës të Milosh Kopiliqit. E gjithë kjo, vazhdon më tej ai, tregon se hero Miloshi kishte kultin dhe traditën e tij në mesin e shqiptarëve. Ndërsa M. Gjurgjeviq (shumë kohë përpara këtij të fundit) që qëndronte në Prishtinë si zyrtar austro-hungarez në vitet 60 të shekullit XIX, e ka vlerësuar përshkrimin e Betejës së Kosovës, sipas traditës gojore vendase, si më reale sesa të dhënat e shpjegimit historiografik serb të modifikuara nga prirjet politike shoveniste.

Kënga në fjalë është një poemë me një lëndë origjinale dhe autentike, me tipare të dalluara nga ato të këngëve epike serbe për Betejën e Kosovës. Në të nuk i këndohet knjaz Lazarit ose figurave të tjera të bujarëve feudalë serbë që morën pjesë në betejë, siç ndodhi në epikën serbe. Pavarësisht nga roli pozitiv që luajtën në luftën kundër vërshimit osman, ato mbeteshin të huaja për botën arbërore-shqiptare, e cila epopenë ia kushtoi pikërisht heroit që doli nga gjiri i saj. Në këtë truall, te shqiptarët, paralel me këngën, organikisht jetojnë edhe një sërë legjendash, kujtimesh, toponimesh etj. Sipas legjendës popullore: “Miloshi ka pas lindur në Kopiliqin e Epërm, por më vonë është vendosur në Kopiliqin e Poshtëm”. Pleqtë e Drenicës tregojnë se “Milosh Kopiliqi â kanë prej ktuhit” (Drenicës). Ata vënë një vijë të qartë demarkacioni: “Car Lazari â kanë i serbëve, Milosh Kopiliqi i yni”; “Milosh Kopiliqi â kanë më i madhi kreshnik i shqiptarëve në luftën e Kosovës”. Në Kopiliq të Poshtëm ka vende që quhen: “Te trolli i Miloshit”, “Veneshta e Miloshit”, “Te kisha e Miloshit” etj. Në Sallabajë gjendet “Vorri i Milosh Kopiliqit”. “Miloshi e mbante ushtrinë në pyjet e Çiçavicës e të Kukës” (pyje të Drenicës). “Car Lazari… venin e tij e ka pas kah Kraleva dhe jo në Kosovë”.

Nga: Qerim Dalipi, historian



Burimet për Betejën e Kosovës të vitit 1389

Për shkencën e historisë nuk është i njohur asnjë dokument nga dita e ngjarjes dhe me burime nuk mund të saktësohet dita kur ndodhi ajo. Vidovdani serb i datës 15 përkatësisht i 28 qershorit 1389, është shpikje e kishës dhe e politikës serbe nga fundi i shekullit XVIII - fillimi i shekullit XIX, njësoj si edhe Kulti i Lararit dhe Miti i Kosovës.

Ndodhja në rrjedhë të poshtme të lumit Llap, në verë të vitit 1389, është moment historik pa asnjë ndikim për ndryshime të marrëdhënieve ekzistuese në vendet e përfshira në ngjarje. Kjo ndodhje në historiografi depërtoi ngadalë dhe u ngulitë me atributin Beteja e Kosovës dhe Beteja e Parë e Kosovës e vitit 1389, duke i përshkruar përmasa fantastike.

Lënda burimore udhëpërshkruese, folkloristike, anuare dhe kronikale, që i bënë jehonë kësaj ndodhje është e vëllimshme, por shumë kundërthënëse njëra me tjetrën deri në absurd. Vërtet, këto të mira kulturore letraro-kronikale të proveniencës sllave, turke, persiane, greke, latine, shqiptare, hungareze, frënge e të tjera, janë ngritur më vonë, për qëllime politike të palëve, me interes për afirmimin e hapave të rinj pushtues perandorak osman dhe Islamit drejt Perëndimit dhe Lindjes së krishterë, në një anë, dhe për afirmimin e kërkesës për krijimin dhe forcimin e bedemit antiosman të gjithëkrishterë, në anën tjetër. Motivet fetare të krishtera antiislame në burimet europiane do të forcohen veçanërisht pas shekullit XVI, pikërisht si produkt i lëvizjeve të reja kulturore e politike nën çatinë e Humanizmit, të Renesancës, të Reformacionit dhe të Kundëreformacionit. Përfundimisht deri në këtë kohë ndodhi kalimi masiv në Islam i shqiptarëve ortodoksë shënsavianë e shënklimentianë në ish-provincat romako-bizantine të Dardanisë dhe të Maqedonisë, që pati për pasojë edhe depërtimin e motiveve fetare islame në kujtesën historike shqiptare për Ndodhjen e Kosovës të vitit 1389.

Në këtë kumtesë nuk kam kohë as vend të pasqyrojë këtë ndodhje në përplotëni, ngase për një analizë kritike të burimeve dhe të literaturës duhet studim i veçantë monografik multidisciplinor. Për këtu e konsideroj të rëndësishme vetëm evidencimin kohor të kronikave lindore dhe perëndimore të krijuara në rrjedhë të historisë nga fundi i viteve të 80-ta të shek. XIV deri në fillim të viteve të 70-ta të shek. XVII, me një gjykim të përmbledhur në fund për çështjet e hapura. Për burim të parë të proveniencës osmane, i pari i njohur deri tashti, ku zuri fillin versioni zyrtar osman për Betejën e Kosovës, është poema “Iskender-name” e poetit Ahmedije të Anatolisë, e përfunduar më 13 mars 1390. Ndërkaq trajtimi kohor i ngjarjes në Kosovë, më 1389, nisi me veprën “B?zm u râzm” persisht të Azis ibn Ardäshira Astr?b?dija, e përfunduar më 1398.

Ky krijues jetoi në oborrin e një emiri të pavarur, ndaj e dha dritën e gjelbër për egzistimin e komplotit ushtarak në taborin e Sulltan Muratit. Sipas tij Murati I, si dhe biri i tij, Jakubi, u likuiduan me komplot nga i biri, përkatësisht vëllai, Sulltan Bajaziti I. Kjo dritë më vonë do të mjegullohet me versionet zyrtare për vrasjen e Muratit I, shkruar nga kronistë dhe historianë oborrtarë, nisur me veprën “Menakib-name” të Jahshi Fakih-ut, shkruar nga bashkëkohësi i ndodhjes. Fakih ishte i biri i Iljasit, imam i Bajazidit I dhe vdiq para vitit 1413. Vepra e Fakihut u bë bazë e fortë për pretendimet e tjera historiografike osmane për ndodhjen në Kosovë, më 1389. Pasoi historia e Mulla Shukrullah-ut: “Behxhet-ut Tevarih”, e përfunduar më 2 nëntor 1459. Versionin zyrtar osman e shpini edhe më tutje kronisti i quajtur Enver, në veprën “Düstür-name” të viti 1464. Tri vjet më pas u përfundua vepra historiografike madhore: “Tevarih-i al-i osman” e Uruxh-it, e shkruar deri në vitin 1467, i cili u mbështet kryesisht në veprën e Fakihut, të cilën e përfilli edhe historiani zulmëmadh, Ahmed Ashik-pasha Zade, në veprën e njohur me emrin “Menakib“ ose “Tevarih-i al-i Osman”, të shkruar deri në vitin 1484. Pasha Zade jetoi dhe veproi në Shkup në vitet 30-50 të shek. XV, ndaj veprën e pasuroi edhe me të dhëna nga kujtesa historike në Kosovë. Mirëpo, me ndikim të madh në historiografinë botërore do të bëhet “Kitâb-i Cihan-nümâ” i Mehmet Neshriut, e shkruar midis viteve 1484-1493, e fryrë me të dhëna fantastike.

Kujtesa historike ballkanike për ngjarjen në Kosovë, më 1389, gjeti afirmim në “Kronikën turke të Janiçarit” të Mihail Konstantin - Ostrovicës, e shkruar në vitet 1491/92, për nevojat e mbretit të Hungarisë. Pas kësaj kronike vije historia e rëndësishme “Hesht behisht” e Idris Husam ed-Din - Bitlis, e përfunduar në vitin 1505, ndërkaq kjo u ndjek nga historia, gjithashtu madhore, “Tevàrih-i âl-i Osman” e Kemal Pashazades, e shkruar midis viteve 1502-1510.

Midis viteve 1490-1512, një krijues anonim nga Edrenea e përshtati historinë e Uruxhit, “Tevarih-i al-i osman”, e pasuroi me motive të reja dhe vende-vende e stilizoi. Tani vijnë veprat historiografike osmane: “Târih-i Ni?ancî” e Ramazan zade Mehmet Çelebi - Nishanxhiut, e shkruar para vitit 1561 dhe vepra madhore “Tac-ut-tevârih”, e Saaduddin Mehmet Hoxha Efendisë, e shkruar më 1575. E këtij viti konsiderohet edhe vepra e Ahmed Ferîdûn-it: “Mejm?ah-i nunshâ?t-i Salâtîn”, në të cilën janë botuar letrat e sulltanëve, përfshirë edhe “Fermanin e Bajazitit I” - dërguar kadiut të Bursës nga Kosova për varrosjen e kufomës së Muratit I. Sipas këtij dokumenti, Sulltan Murati u flijua për islamin, si plotësim i dëshirës së tij, në mesin e muajit Shaban të madhërueshëm 791 të hixhrit, përkatësisht më 1389. Muaji Shaban i atij viti filloi ditën e hënë, më 26 korrik dhe kishte 29 ditë, deri më 23 gusht. Del se tragjikomendia në “vendin Kosovë” ndodhi më 8 ose 9 gusht 1389, datë të cilën nuk e gjejmë në kronikat osmane të hershme, as të përfillur nga historiografia turke, e cila për datë të Betejës së Parë të Kosovës e mbanë 20 qershorin 1389.

Përafërsisht të mesit të viteve të 70-ta të shek. XVI është edhe vepra: “Bad?’i ‘ul-waq?’i” e autorit Hoxha Husejn dhe “Nuhbet-üt-tevarih ve ‘L-abar” e Mehmed bin Mehmed. Të dhëna me interes për ngjarjen e Kosovës të vitit 1389 la edhe Mustafa Ahmedi - Aliu, i cili shërbeu në Bosnjë, më 1577, kurse kronikën e rëndësishme: “Künh-ül-ahbâr” e shkroi midis viteve 1591-1599. Një vepër historiografike voluminoze midis kronikës dhe historisë me pretendime të mëdha, është historia “T?hih-i Sollakzâde”, e shkruar para vitit 1657, e Mehmet Handamit - Solakzade. Ndërkaq, të dhëna me interes nga kujtesa historike shqiptare dhe ballkanike për Ndodhjen në Kosovë, më 1389, përjetësoi në kujtesën turke dhe në historiografinë osmane udhëpërshkruesi i famshëm Evlie Çelebi, në veprën madhore “Sijaset-name”. Ai tokat shqiptare, Kosovën dhe vendin e ndodhjes i vizitoi në vitin 1660/62. Për traditën vendëse shqiptare të Kosovës me interes për ngjarjen e Kosovës së vitit 1389 ka lënë edhe dervishi i Selanikut Ahmet Dede Lutfullah-Mynexhimbashi,në veprën: “Müneccimba?i Sahâif-ul-ahbar”, të shkruar pas vitit 1672. Këtu, të themi kushtimisht, përfundon faza e historiografisë letraro-kronikale zyrtare osmane.

Në rrjedhë të kohës, përkrah kronikave osmane, lindën anuarët dhe kronikat e proveniencës ballkanike dhe europiane për Ndodhjen në Kosovë, më 1389. Mirëpo, derisa para kronikave osmane nuk njohim asnjë dokument arkivor të proveniencës lindore, vjetarëve dhe kronikave europiane për këtë ngjarje, u kanë paraprirë informatat me shkrim të individëve si përpjekje për të informuar opinionin për ndodhjen. Informatën e parë për Ndodhjen në Kosovë e la gjakoni Ignjatie, më 27 qershor 1389, përcjellës nëpër Lindje i mitropolitit rus, Pimen. Ai shkroi se në popull po flitet për vrasjen e Muratit I, por nuk e zuri ngoje vrasësin, as ditën e vrasjes. Më 1 gusht 1389, Mbreti i Bosnjës, Tvrtko I, e informoi komunën e Trogirit dhe të Firencës se ushtria e tij e ka thye ushtrinë osmane të Muratit I. Nga përgjigjja e Firencës, më 20 tetor 1389, në Letrën e Mbretit Tvrtko I, shihet se firentinasit kishin siguruar edhe informata nga burime të tjera për Betejën e Kosovës. Ata Tvrtkos i uronin fitoren dhe i gëzoheshin vrasjes së Muratit I nga ana e 12 bujarëve të besatuar, nga të cilët - “njëri prej tyre me shpatë e therri”.

Këtu e vlen të thellohemi pak më shumë në të dhënat e proveniencës serbe. Të theksojmë fillimisht se Kultin e Lazarit dhe Mitin serb të Kosovës e krijoi qeveria dhe kisha ruse deri në fund të shekullit XVI. Kisha serbe në Perandorinë Osmane për Ndodhjen në Kosovë u muar vetëm rreth dy muaj e gjysmë pas ngjarjes. Prifti Pahomije,me gjasë i kishës së Shën Onufrit të Shumicës, lokalitet afër Ravanicës, në Shumadi, shkroi: “...Në këtë vit knez Lazarin e vranë turqit dhe Muratin serbët”. Dhe, vetëm rreth dhjetë vjet pas ngjarjes, aty nga fundi i shekullit XIV, kemi edhe një shënim tjetër të kishës serbe ku thuhej: “Sa gjëmë u bë në vend kur u vra knezi dhe mbreti i madh turk”, pa ua zë ngoje emrat. Tani kjo kishë Tragjedinë Lazar-Murat më nuk e zuri n’goje për rreth 100 vjet, deri nga fundi i shekullit XV. Në një shënim të kësaj kohe zihej n’goje vrasja e Muratit I dhe e Lazarit dhe humbja e ushtrisë së krishterë “për shkak të ikjes të ca njerëzve serbë”. Emrin e vrasësit të Muratit nuk e përmendi asnjëri nga burimet kishtare serbe të shek. XIV - XV. Emrin e vrasësit të Muratit I nuk e përmendi as Konstantin Filozofi në Biografinë e Stefan Lazarit , më 1431, dhe as autori i anuarit Cetinski letopis (1516-1572). Në njërin dhe në tjetrin shkrim, vrasësi i Muratit I quhej vetëm me atributin: “...njëfarë burri fisnik”, ndonëse kronikat osmane dhe europiane deri në këtë kohë për vrasës konsideronin Milosh Nikollë Kopiliqin - krahinar vendës kosovar, vasal dhe i njohur mirë nga afër i Muratit I. Edhe Gjergj II Brankoviçi në veprën “Cronica Serbica” (fundi i shek. XVII), botim i vitit 1704, i iku rolit të Milosh Nikollë Kopiliqit në Tragjedinë e Kosovës të vitit 1389 dhe nuk dha shenja për egzistimin e Kultit serb të Lazarit dhe të Mitit serb të Kosovës.

Tashti të përmendim radhazi burimet e tjera europiane për Betejën e Kosovës 1389. Diçka para tetorit të vitit 1389 francezi Filip Mezière, ushtarak dhe administrator në Qipro, e informonte Francën se ngjarja ku u vra Murati I me të birin - “së bashku me disa udhëheqës eminent turq” ndodhi “në pjesët e Shqipërisë”. Me interes është edhe Letra e Dimitrije Kidonit drejtuar në burg mbretit Mihaili II Paleolog, në ditët e para pas “ndeshjes” së koalicionit të krishterë kundër ushtrisë osmane. Tani, më së pesë vjet më nuk u fol për Ndodhjen në Kosovë, deri në Kronikën e murgut të Saint Denisit, më 1395, e cila nuk e zuri n’goje emrin e vrasësit të Muratit I. Filip Mezière Ndodhjes në Kosovë iu kthye edhe njëherë, më 1396/7. Tashti informonte se janë vrarë 20 mijë trupa të Sulltanit dhe po aq të Lazarit. Pason kronika e një Anonimi grek, e botuar nga Zoras dhe Anonimi i Raguzës, më 1402, i cili ndiqte kujtesën boshnjake. Ky do të konstatojë se në Kosovë, në mesin e qershorit 1389, pranë Lazarit, të cilin e quante “mbret i Bosnjës”, ishin “boshnjakët”, Vuk Brankoviçi dhe Vojvoda Vllatko Vukoviç (i Kroacisë). Nuk e përmendi fare emrin e atij që Muratit I i “dha plagë në zemër”. Kronisti anonim i Fiorentinës (Kronika e Friulit), në dhjetëvjetëshit e dytë të shekullit XV, foli për ngjarjet nga vrasja e Karlo Durrsakut më 1385, deri në vitin 1409. Sipas tij, Murati pati më se 70 mijë viktima, kurse të krishterët më se 30 mijë. Me ndikim në historiografinë europiane do të bëhet vepra e Laonici Chalcondyle Atheniensis: “De origjine et rebus gestis Turcorum...”, e shkruar para vitit 1435 dhe e botuar më 1556. Ky e dinte se vrasës në variantet: Milo, Miloen dhe Michale. Ndërkaq, sipas informatave që kishte Mbreti hungarez, Albrehti, më 1438 - Murati e Lazari u vranë në dyluftim. Për ndodhjen në Kosovë, më 1389, shkroi edhe Armtari Jerga i Nirnbergut, i cili shërbeu në oborrin e Stefan Vukçiç - Kosaçit para vitit 1466. Mirëpo, ndikim të madh në historiografinë europiane do të bëjë Kronika e Johan Mihail Dukës, e botuar italisht në fillim të shek. XVI. Atë kryekreje e përfilli Marin Barleti si dhe një grup kallogjerësh në Letrën për Papën më 1598, si edhe relatorët: Marin Bici (1610) dhe Pjetër Mazreku (1623/24). Këta relatorë e afirmuan edhe kujtesën historike shqiptare të Kosovës për vrasjen e Muratit dhe të Milosh Kopiliqit. Nga fillimi i shek. XVI për Ndodhjen në Kosovë, më 1389, la të dhëna edhe prifti ulqinak Martin Segoni në itinerarin: “De itineribus in Turciam Libellus” dedikuar nevojave të mbretin hungarez, më 1502, e cila më vonë i atribuohet udhëpërshkruesit Filice Petantio-s, më 1522.

Me rëndësi të posaçme dhe saktësi të madhe për pjesëmarrjen e shqiptarëve në koalicionin e të krishterëve antiosmanë ofron kronika “Historia e generalogia della casa Musachia” e Gjon Muzakës, e shkruar në vitin 1510. Këtë e ndjek raguzani Ludovik Cerva Tubero në “Comentario de rebus quae temporibus eius...gestae funt”, e shkruar para vitit 1515, kurse e botuar më 1590 me titull: “...De Turcorum origjine...”. Ngjarjes së vitit 1389 në Kosovë iu kushtua edhe Benedikt Kuripeshiçi në “Itinerarium der Botschaftstreise...”, më 1530, kurse më 1550 u botua në gjuhën gjermane kronika osmane e quajtur: “Girabi Tevarichi”. Ngjarjes në Kosovë, më 1389, do t’i përkushtohet edhe Francesco Sansouino në “Gl’ Annali overo le vite de’principi et singnori della casa Othomana”, botuar më 1571 si dhe udhëpërshkruesi Jean Palerne Forensien, i cili vizitoi viset e Dardanisë në vitet 90 të shek. XVI dhe regjistroi kujtesën historike shqiptare të ndritur për Skënderbeun dhe për Milo Komnenin (Milosh Nikollë Kopiliqin).

Nga fillimi i shkullit XVII zuri fill trajtimi historiografik humanist europian për ndodhjen në Kosovë të vitit 1389. Me ndikim të madh në literaturën historiografike europiane do të bëhen veprat: “Il regno de gli Slavi...”, e Mavro Orbinit, e botuar më 1601 dhe “Ristretto de gli anali di Rausa” e Petro Lukarit, e botuar më 1604. Këto dhe disa kronika osmane i ndoqi historiani anglez Richard Knolles në veprën: “Generall Historie of the Turkes...”e botuar më 1610 dhe 1710, i ndjekur nga Joanne Cuspiniano: “De Turcorum origjine...” të botuar më 1673. Nga këtu mund të flasim për fillin e dijes shkencore për Betejën e Kosovës në Perëndim dhe në Lindje mbi bazën e të dhënave të kronikave osmane e europiane për Ndodhjen në Kosovë më 1389, me pasoja të konsiderueshme për historiografinë dhe për historinë e popujve ballkanikë, veçanërisht në dëm të qenies shqiptare në Djepin e shqiptarizmës, në Kosovë. Të përmbledhim shkurtimisht: Për shkencën e historisë nuk është i njohur asnjë dokument nga dita e ngjarjes dhe me burime nuk mund të saktësohet dita kur ndodhi ajo. Vidovdani serb i datës 15 përkatësisht i 28 qershorit 1389, është shpikje e kishës dhe e politikës serbe nga fundi i shekullit XVIII - fillimi i shekullit XIX, njësoj si edhe Kulti i Lararit dhe Miti i Kosovës. Realisht, sipas gjykimit kritik të informatave dhe të kronikave osmane dhe europiane, mund të thuhet se ka egzistuar përpjekja e fshehtë e Princ Lazarit për një aleancë të të krishterëve ballkanikë e europianë kundër pushtuesit osman, kurse Murati I erdhi në Kosovë, një vend vasal midis Bosnjës dhe Serbisë vasale, me qellim të kontrollonte dhe të forconte besnikërinë e vasalëve në Shqipëri, në Serbi dhe në Bosnjë.

Analiza kritike e fakteve tregon se Ndodhja është komplot në kreun komandues të koalicionit të të krishterëve ballkanikë në nismë, në një anë dhe në kreun komandues të ushtrisë aziatike-ballkanike perandorake osmane, në anën tjetër. Sipas gjithë gjasash, tragjedia në dy pamjet e saj origjinale, në dy taborët ushtarake, është zhvilluar në intervalin kohor prej rreth dy orësh dhe në fshehtësi të madhe nga trupat ushtarake dhe kreu i ulët komandues. Kjo Ndodhje nuk shkaktoi asnjë çrregullim në marrëdhëniet shoqërore të kohës në relacionin okupator osman - vasalë ballkanikë. Në terren nuk mbetën gjurmë të luftës - varre as gjësende nga “Beteja...”, e cila në burimet e përmendura tregohet se kishte armatim këmbësorie, kalorësiake dhe artilerike të përmasa fantastike: mbi 100000 të rënë, e po gati aq të plagosur, pjesa më e madhe e të cilëve “nuk u përballuan plagëve”. Kufoma e Muratit dhe kufoma e Lazarit, të padëmtuara, u varrosën me nderime të larta fetare e pushtetore, i pari pranë xhamisë në Bursë, kurse i dyti pranë kishës ortodokse në Prishtinë. Pak muaj më vonë kufoma e Lazarit do të zhvarroset dhe rivarroset me nderime kishtare e pushtetore në kishën e përshpirtshme të tij, në Zhiçë të Shumadisë, Bajazidi I do të bëhet dhëndër i Lazarit dhe Stefan Lazareviçi do t’i bashkohet me ushtri Bajazidit në pushtimet e reja.

Sekuencat më reale të kësaj tragjedie janë ndër motivet më të hershme të kujtesës dhe të epikës historike të popullit shqiptar të Kosovës të periudhës së krishterë ortodokse shënsaviane. Në epiqendër të saj është fati tragjik i Sulltan Muratit I dhe i krahinarit vendës drenicar, Milosh Nikollë Kopiliqit, zotërues vasal i Kosovës i njohur nga afër me Sulltan Muratin. Me këto shëmbëllejnë fuqishëm motivet e hershme të kujtesës epike boshnjake, kroate e serbe, e cila sa ka ardhur dhe është pasuruar me aktorë të imagjinuar dhe me motive fetare, mitike, legjendare e politike, të gjitha këto me proveniencë nga versionet zyrtare të Oborrit perandorak Osman dhe të kishës ortodokse dhe të oborrit qeveritar serb në shekujt XV- XIX. Dhe, një fakt duhet të vihet në spikamë: Të gjitha personalitetet historike nga tabori i krishterë, të cilët janë flijuar në Komplotin Bajazi I - Vuk Brankoviç, për pushtet e mirëqenie vasale osmano-serbe, janë personalitete shqiptare ose të përkatësisë vllahe, amallgam ky iliro-roman, siç ishte edhe kosovari përlepnicas anamoravas - Lazar Pribezi, dhëndër i fisniku serb nga Krushevci i Shumadisë. Të gjithëve, përpos Lazarit, vrasësi ua humbi edhe varret, përfshirë edhe varrin e princit Theodor Muzaka II.

Së këndejmi, ndonëse për të ashtuquajturën Beteja e Kosovës 1389 janë botuar shumë shkrime, studime dhe monografi historiografike e folkloristike në gjuhë të ndryshme, si ngjarje historike në fushën e dijes ka ngelë e errët dhe e pambyllur. Ndër çështjet më parësore të cilat janë të hapura për hulumtim dhe për ndriçim shkencor kritik me interes për historinë dhe për historiografinë, janë njohja e prapaskenave politike të tragjedisë, karakteri i asaj që është emetuar në historiografi si Beteja e Kosovës, përmasat reale të ngjarjes, roli i Sulltan Bajazitit, i Vuk Brankoviçit dhe i Milosh Nikollë Kopiliqit në zhvillimin dhe epilogun e ndodhjes - në flijimin e Muratit I me pakë besnikë osmanë dhe të Lazar Pribezit e të Theodor Muzakës II me besnikë të pakët.


Nga: Prof. Dr. Muhamet Pirraku

(Albasoul)

Historia e Shqiperise - Historia Shqiptare

Historia e Shqiperise - Historia Shqiptare


K R E U I I I
SHTETET ILIRE

Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e një shoqërie antike të mirëfilltë dhe në formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire.

Që nga dukja e këtij shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane.Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë.

Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve etj., që kanë një peshë më të vogël në historinë politike të Ilirisë.Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve dhe e athamanëve.

E para shfaqet me një shkëlqim të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse dy të fundit dalin në arenën politike në shek. III me një rol të parëndësishëm.Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror; edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.


1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR I ILIRËVE NË SHEK. IV P.E.SONË

Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetareZhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës së hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për lindjen e qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë të dhënat arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit dhe të qendrave protourbane që u krijuan si rezultat i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë, të blegtorisë, si edhe të intensifikimit të marrëdhënieve të këmbimit me botën greke.

Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së importuar korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet e kolonive greke në Dyrrah e në Apoloni, të cilat kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me prapatokën ilire.Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi i saj ishte vendosja e ekonomisë antike të tregut që u materializua me krijimin e qyteteve si qendra prodhimi e shkëmbimi. Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës antike të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit në degët e ekonomisë.Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve në Iliri i takojnë mesit të shek. IV p.e.sonë.

Historiani grek, Diodori, duke përshkruar fushatat e Filipit II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë “u lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi shumë qytete të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe”. Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar athinasit për rrezikun që i kërcënonte nga mbreti maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po fortifikonte qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët grekë të shek. II p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin me emër Polionin si qytet i Dasaretisë, kurse historiani i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend qytetin Oidanton.

Më në fund nga të dhënat numizmatike të fillimit të shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin e një qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion. Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë të pranishme në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një rast vërtetohet qysh në fillim të këtij shekulli), duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në fundin e shek. V p.e.sonë.Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete këto qytete të hershme ilire. Dëshmitë e autorëve antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar që të rindërtohet pamja reale e këtyre qendrave urbane.Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të tilla, nëpërmjet të cilave të dallohet qartë qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej qyteteve antike, rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund të pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet kryesisht gjatë shek. IV p.e.sonë.

Në këtë kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të epokës së hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura nga pikëpamja natyrore, por shtrihen me sipërfaqe relativisht më të gjera, që arrijnë deri në 10-20 ha. Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë më të përparuar me blloqe shumëkëndëshe, trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me një bukuri të rrallë (Amantia, Klos, Çuka e Aitojt etj.), por sistemi i fortifikimit në përgjithësi është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat, rolin e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të drejtë, që bën muri herë mbas here për arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë sistem janë të pakta e me një mbrojtje më të dobët.

Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore në krahinën që zotërojnë dhe shtrihen në një hapësirë prej 30-40 ha, siç është rasti i Bylisit, i Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë të mbrojtura me mure të fuqishme.Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato me termin polisma, që do të thotë qytete të vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare të zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë qytet. Ndryshimi që vërehet në termat e përdorur prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet këtyre qendrave urbane ilire dhe që lidhet me karakterin e tyre. Pak dritë mbi këtë çështje hedh pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më të fortë” midis qyteteve të Dasaretisë.

Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara dhe të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është dhe i pari qytet ilir që pret monedha. Burimet tregojnë se ky qytet gjendej në shpinë të zonës bregdetare, diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu: “Pas Epidamnit dhe Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët; aty afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelejtë, të cilët i quajnë dasaretë; afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa e të dhënave më të sigurta ka penguar që ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u nisur nga arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar në krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të Drinit të Sipërm.

Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë dhe për një fakt tjetër. Ai tregon se Damastioni qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një zonë të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin edhe bazën ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri i saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash çekanin e minatorit dhe shufrat metalike.Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti zejtar të përparuar të kësaj kohe, por padyshim jo i vetmi.

Pelioni shfaqet në burimet, jo vetëm si qyteti më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por edhe si kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir. Ka mundësi që qytetet e tjera më të vogla, ato që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë qendra njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar ekonomia bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të kufizuar të zejtarisë.


Zejtaria, bujqësia e blegtoria

Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të degëve të ndryshme të ekonomisë ilire.Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe më parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si degë e veçantë e një qyteti, siç është rasti i Damastionit. Në shek. IV në zejtarinë e punimit të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim cilësor, fjala vjen në punimin e veglave të punës, të armëve apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt pararendës.

Por tani mund të flitet për një veprimtari më të gjerë e më intensive si në shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë e degëve të veçanta të zejtarisë metalpunuese. Bie në sy në mënyrë të veçantë rritja e prodhimit të armëve, që përbëjnë në këtë kohë gjetjet më të shumta nëpër nekropolet në krahasim me zbukurimet.Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën e zejtarisë së prodhimit qeramik, madje importi e dobësoi për një kohë këtë degë të zejtarisë ilire.Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një revolucion i vërtetë. Mjeshtrat e ndërtimit shquhen në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike e teknike dhe për njohuritë e thella në fushën e artit të fortifikimeve, që i zbatonin në nivelin më të përparuar të kohës, ashtu si në shumë vise të tjera të botës mesdhetare. Muret rrethuese të qyteteve të ndërtuara në stilin poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve në këtë fushë.

Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë e ilirëve për shek. IV janë të varfra. Autorët bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk bëjnë tjetër veçse përsërisin Hekateun, për shkak të njohjes ende të pamjaftueshme të Ilirisë; megjithatë Iliria për autorët grekë ishte vendi i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore të së cilës shfrytëzoheshin vende-vende në mënyrë intensive dhe që krahas kulturave bujqësore (rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në kullotat e pasura rritnin bagëti të mira të racës.

Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto njoftime. Parmenda e paraqitur në buzët e një pitosi gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, apo në monumentet varrimore të kohës, si kalliri i grurit, dega e ullirit, bistaku i rrushit, bleta, lopa si dhe briri i bollëkut, simbol i pjellorisë dhe i begatisë, u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire dhe zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria ilire në këtë kohë.


Tregtia dhe qarkullimi monetar

Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve të tjera të ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë ilire. Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve dhe të enëve prej balte që përsëriten në gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë për marrëdhënie intensive midis popullsisë së krahinave të ndryshme dhe për një zhvillim të konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.

Një zhvillim më të gjerë morën në këtë kohë shkëmbimet me botën greke. Jo më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore tërhoqën vëmendjen e autorëve antikë të kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin ndër artikujt kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi zinin këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik dhe qytetet e Halkidës, të cilat merrnin nga Damastioni argjendin për prerjen e monedhave të tyre, kurse nga tokat e afërta të Atintanisë serën, që u duhej për ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të transportit. Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të artizanatit grek, midis të tjerave prodhime atike e italike. Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të Apolonisë, enët e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në vendbanimet e zonës bregdetare.

Por ato fillojnë të duken më dendur edhe në krahinat e brendshme ilire. Pas Trebenishtit ato shfaqen edhe në luginën e mesme të Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës. Këto prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve tregtare të shkelura qysh në shek. VI-V, duke ndjekur luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e bregut Adriatik, ashtu edhe të Egjeut.Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë, kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit.

Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi në një zonë të gjerë që përfshinte krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht atë të lynkestëve.Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir si Damastioni është një fakt me rëndësi të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni, lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike e krahinave të brendshme.

Ai hodhi në treg monedhën e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore, për t’i hapur rrugën një sistemi të ri ekonomik, skllavopronarisë.


Vendosja e skllavopronarisë

Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare, e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe administrative, edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe aristokracia e vjetër fisnore që përbënte parinë e qytetit. Si e tillë, popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore, me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar, e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë aristokracinë e vjetër fisnore.Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave ekonomikë të ndërsjelltë.

Në burimet këto popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla, por fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e qyteteve dhe prerja e qarkullimi i monedhave janë elemente që nuk pajtohen me rendin fisnor, ato i japin bashkësisë një përmbajtje të re nga pikëpamja e marrëdhënieve ekonomike e shoqërore.Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë të kësaj kohe, shumica e popullsisë në Iliri jetonte në fshatra; qytetet ishin ende në numër të vogël. Masën kryesore të kësaj popullsie e formonte fshatarësia e lirë, por burimet bëjnë fjalë edhe për një popullsi fshatare të varur. Theopompi në veprën e tij “Filipika” shkruan se “ardianët kanë 300 mijë prospelatë si helotë...”.

Me prospelatë autorët e vjetër kuptonin një popullsi të varur që merrej me punimin e tokës dhe që u jepte zotëruesve të saj si detyrim një pjesë të prodhimit. Duke i krahasuar prospelatët e ardianëve me helotët e Spartës, Theopompi e përcakton edhe më mirë gjendjen e tyre sociale. Me sa duket edhe këta ishin, sikurse helotët, një popullsi e nënshtruar që pas pushtimit ishin shpronësuar dhe ishin kthyer në gjendje vartësie.

Nuk kemi prova nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo një fis tjetër ilir që pësoi këtë fat; numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar, por mbetet i padiskutueshëm fakti që kemi të bëjmë me një masë popullsie mbi të cilën ushtrohet shtypje ekonomike dhe politike. Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë për ardianët. Një shekull më vonë Agatharkidi në veprën e tij “Evropaikon” do të pohojë se “dardanët kanë kaq shumë skllevër (ai i quan këta me emrin “dullos”), sa dikush kishte 1 000, kurse të tjerë edhe më shumë. Secili nga këta në kohë paqeje punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri duke pasur si prijës zotin (“despotes”) e tij”.Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet e mëtejshme e bëjnë të qartë se kemi të bëjmë me një popullsi të tipit të prospelatëve ardianë.

Nuk ka asnjë dyshim që termi “dullos” përdoret këtu me kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse ndodh shpesh që autorët antikë i quajnë helotët “dullë të lakeldemonëve”.Një rast tjetër është ai që përmend Atheneu, për penestët. Sipas tij “thesalët quajnë penestë jo ata që lindin skllevër, por ata që shtihen në dorë me anë të luftës”. Dihet se me emrin penestë quhej një fis i tërë në territorin e Mbretërisë Ilire. Përkufizimi i Atheneut të çon në përfundimin se popullsia e këtij fisi duhet të ketë qenë e ngjashme nga pikëpamja e gjendjes shoqërore me prospelatët e ardianëve dhe dullët e dardanëve.Prania e një popullsie të tillë të varur e të shfrytëzuar ekonomikisht midis ilirëve, është një dëshmi e rëndësishme për të përcaktuar karakterin dhe strukturën e shoqërisë ilire. Siç tregojnë të dhënat e autorëve antikë, popullsia e varur e tipit prospelatë-helotë-penestë përfaqësonte në këtë kohë në Iliri një formë të hershme të skllavërisë që ekzistonte në disa nga popullsitë kryesore ilire.

Kjo kategori njerëzish përdorej në masë në punimet bujqësore dhe mbase edhe në shfrytëzimin e minierave. Zotërit e tyre (despotët) duket se banonin në qendrat e vogla të fortifikuara ose në qytete. Kohën më të madhe ata e kalonin në luftëra dhe jo rrallë me dëfrime. Theopompi na thotë se sunduesit e prospelatëve ardianë “çdo ditë deheshin, bënin mbledhje dhe shtroheshin në gosti, të dhënë pas të ngrënit e të pirit”. Pjesën tjetër të popullsisë e përbënte masa e fshatarëve të lirë që luante, me sa duket, ende një rol kryesor në prodhimin shoqëror.Përveç përfitimit nga puna e popullsisë vendase, shtresa e pasur siguronte të mira materiale nëpërmjet grabitjes kolektive të popujve fqinjë me anë të luftërave.

Tributet e përvitshme që detyroheshin të paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto grabitje kryheshin në mënyrë sistematike.Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria ilire paraqitet si një shoqëri e ndarë në klasa e shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë format e hershme të varësisë skllavopronare, prandaj edhe ishte një shoqëri skllavopronare. Lindja e qyteteve ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse duke u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë dhe të tregtisë ato i dhanë hov rritjes së prodhimit, shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit të punës së huaj.Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në këtë periudhë të hershme mund të thuhet se ai vepron jo vetëm si bartës i skllavopronarisë, por edhe si përçues i saj në botën fshatare që e rrethon.

E lidhur me qytetin me anë të marrëdhënieve ekonomike dhe e varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve, bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej rreth qyteteve nuk është më bota e organizimit fisnor. Ajo njeh tani marrëdhënie vartësie në formën e skllavërisë së tipit helot.Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me një rol e peshë të ndjeshme në jetën ekonomike e shoqërore të Ilirisë. Si i tillë ai shërbeu si bazë e organizimit politik shtetëror.


2. MBRETËRIA E PARË ILIRE. DINASTIA E BARDHYLIT(FILLIMI I SHEK. IV - 335 P.E.SONË)

Ardhja në fuqi e Bardhylit

Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për çështjen e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit të mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit, u zhvillua një luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve për këtë krahinë. Në këtë luftë mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra. Aristoteli, që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson origjinën etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve.

Aleanca midis tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë zanafillën e saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë dhe duket se ka qenë përforcuar me një martesë dinastike midis Syras dhe një vajze të Arrabeut. Rezultatet e kësaj lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme tregojnë se nuk ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen ekzistuese.Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën katër dekada me radhë. Kontradiktat e brendshme që u bënë shkak për këtë vrasje dhe për intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen e konflikteve midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj.

Në fillim të sundimit të Amyntës II, që pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një zgjidhje. Martesa e Amyntës me një bijë të mbretit Syra, të quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete faktin që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve.Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato të Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar për dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe jo për pajtim.

Rasti i volitshëm për ta arritur këtë qëllim paraqitet pikërisht tani, që Maqedoninë e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni, pushtuan një pjesë të saj dhe pasi dëbuan Amyntën, vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën presionin e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të kthehej në vend me ndihmën e thesalëve, të cilët preferonin më mirë sundimin e tij se atë të Argeut që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët ai qe detyruar ta blinte me një tribut vjetor që do t’ua paguante atyre.

Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet e vendosura së fundi midis ilirëve dhe maqedonëve nuk janë të qarta. Dihet vetëm se ngjarjet e mëpastajme nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse emri i tij shfaqet në burimet shumë më vonë, në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara.

Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë të gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë), ose pak më vonë, ishte në një moshë të thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë lidhur me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si një mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e pastaj kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve, meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë e i paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si një trashëgimtar të Syras, por si një përmbysës të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund t’i jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet e ilirëve me maqedonët në vitin 393 p.e.sonë.

Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat rol të rëndësishëm ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë Bardhyli ai që udhëhoqi ilirët në fushatën e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri ai që theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369 dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti në fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë të tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që pësuan maqedonët në vargun e përpjekjeve të tyre për t’u çliruar nga ilirët.

Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë burimet përmendin edhe një ngjarje tjetër me rëndësi. Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin. Ndërmjetës për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa, i cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes ishte rivendosja e Alketës në fronin molos.

Të dyja palët qenë të interesuara për këtë, sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin e ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në Epir, kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në tregimin e tij Diodori vinte në dukje se Dionizi u dërgoi ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2 000 vetash dhe 5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”. Por nuk thotë se me cilët luftonin ilirët në këtë kohë. Është supozuar se Diodori e ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron as pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët, kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi këtë luftë vetëm për të kthyer Alketën.

Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se ilirët hynë në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”. Në këtë rast duhet të jetë fjala për faktin se ilirët ishin në gjendje lufte pothuajse të pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët nga kjo barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në aksion kundër molosëve për të sjellë në fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë të tyre, maqedonëve.

Megjithatë forcat kryesore në këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori thotë se “ushtrinë që u erdhi në ndihmë ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja përfundoi me sukses të plotë. Në betejën e rreptë që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe molosët lanë në fushën e luftës shumë të vrarë.

Ndihma që u dërguan spartanët nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë. Me sa duket, aleanca me Syrakuzën ishte për të një mbështetje e shëndoshë në luftën kundër Maqedonisë.


Fushata maqedone kundër Mbretërisë Ilire

Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri në fushë të betejës kundër ilirëve, por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët e tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën kundër Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën dhe kishte larguar rrezikun trak e paion.I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi u sul kundër ilirëve me një ushtri të madhe, të përbërë prej 10 000 këmbësorësh të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish. Bardhyli i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të madhe, 10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës.

Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë të pafavorshme ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet që kishin në zotërim në atë kohë; Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë. Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja. Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet e armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në trajtë kuadrati. “Në krye, - shkruan Diodori, - fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra palë, dhe kështu vazhdoi për një kohë të gjatë, sepse të dy ushtritë luftuan me një trimëri të rrallë.

Nga të dy anët u vranë shumë veta dhe ca më shumë u plagosën”. Megjithëse maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi e pa se nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që kishin pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin se për cilat toka ishte fjala, kur thotë se, pasi i vuri nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer në liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë betejë, ai zgjidhi përfundimisht çështjen e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në kufijtë perëndimorë në favor të Maqedonisë.Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë kundër Maqedonisë.

Në vitet e fundit të jetës së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve, të cilët ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar që t’i shkëpuste nga ndikimi maqedon. Ushtria ilire invadoi tokat molose, por ndeshi në një qëndresë të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në vitin 356 p.e.sonë ky synim u përsërit në përpjekjen për një aleancë të gjerë antimaqedone. Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre mbretër, ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë, ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin aq të fortë për ta luftuar veçmas, u lidhën ndërmjet tyre me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”. Por ata ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë, kur ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin forcat e tyre.

Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur më lart. Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i Bardhylit, që në këtë kohë duhet të ketë vdekur.Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë sidomos kur lufta për vendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi kërkonte gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë shtet në pozita mbrojtjeje.

Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë, e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri të fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin nga mbreti Pleuria. Ata i bënë një qëndresë të ashpër dhe i shkaktuan armikut humbje të rënda. Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e betejës ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë, ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi dhe vendosi në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në Maqedoni me plaçkë të madhe. Në burimet nuk thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën pjesë të vendit është fjala kur flitet për qytetet e pushtuara, por dihet nga pohimet e Isokratit se në bregdet nuk mundi të dalë.

Ka të ngjarë që ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe që mund të identifikohen me vargun e maleve të Polisit, të Kamjes dhe të Ostrovicës.


Kryengritja e vitit 335 p.e.sonë

Pas vdekjes së Filipit II, ilirët e krahinave të nënshtruara ngritën krye në vitin 355 p.e.sonë kundër pasardhësit të tij, Aleksandrit, kur ky ndodhej larg vendit, duke luftuar me tribalët dhe popullsi të tjera veriore. Këtu Aleksandrit i erdhi lajmi i kësaj lëvizjeje në Iliri. Kliti, i biri i Bardhylit, ishte shkëputur prej tij dhe me të ishte bashkuar edhe Glaukia, mbret i ilirëve taulantë. Si mësoi se Kliti kishte pushtuar qytetin Pelion, Aleksandri u drejtua me forcat e tij kundër këtij qyteti. Rufi dhe Ariani që bëjnë fjalë për këtë ngjarje, përshkruajnë me hollësi pozicionin e qytetit, vendosjen e forcave kundërshtare dhe stratagjemat që përdorën të dyja palët.

Sipas tyre Pelioni ishte një qytet i Dasaretisë, buzë lumit Eordai, dhe më i forti në këtë vend. Ushtria ilire ishte ndarë në dy pjesë: garnizoni që mbronte qytetin dhe repartet e lëvizshme që kishin zënë rrugët dhe majat përqark tij. Aleksandri vendosi t’i shkëpusë lidhjet midis tyre; ngriti lëmin pranë qytetit dhe filloi ndërtimin e një muri që do të pengonte garnizonin të dilte për të marrë pjesë në luftimet e jashtme.

Mbërritja e befasishme e Glaukisë me një ushtri taulantësh e vuri ushtrinë maqedone në pozitë të vështirë dhe vetëm në sajë të një manovre të shpejtë, Aleksandri mundi të tërhiqte pa humbje të mëdha trupat e veta. Por ilirët nuk ditën ta shfrytëzonin fitoren. Duke besuar në një sukses të plotë, ata e lanë ushtrinë e tyre pranë Pelionit në shkujdesje.

Kjo i dha mundësi Aleksandrit, që tri ditë pas tërheqjes, të kthehej fshehtas përsëri në fushën e betejës dhe ta godiste natën ushtrinë ilire. Pasi pësoi humbje të mëdha, masa kryesore e ushtrisë ilire u tërhoq në malet e taulantëve. Vetë Kliti, pas dështimit të kryengritjes u mërgua në vendin e taulantëve, ndërsa garnizoni u largua duke i vënë zjarrin qytetit. Deri në prag të kryengritjes duket se Kliti sundonte në mbretërinë e tij të dobësuar, duke njohur sovranitetin e mbretit maqedon.

Kjo të paktën mund të nënkuptohet nga shprehja e Arianit që thotë se ai “u shkëput” prej Aleksandrit, kur e njoftuan për fillimin e kryengritjes. Por në burimet nuk thuhet se cila qe gjendja juridike që u vendos në këtë pjesë të Ilirisë pas largimit të Klitit. Aleksandri duket se u kënaq me rivendosjen e gjendjes së mëparshme në këtë pjesë të shtetit të tij dhe nuk e vazhdoi më tej konfliktin me ilirët; telashe të tjera e prisnin në Greqi. Taulantët, të cilët Filipi nuk kishte mundur t’i shkelte, paraqiten në këtë konflikt si një fuqi më vete dhe me një mbret të tyre. Tokat e këtij fisi përbënin siç duket atë pjesë të Mbretërisë Ilire që kishte mbetur e pavarur.

Organizimi politik i Mbretërisë Ilire

Gjatë veprimtarisë së tij tridhjetëvjeçare deri në vitin 360 p.e.sonë Bardhyli e kishte rritur pushtetin e vet dhe kishte krijuar një mbretëri të fortë. Pellgu rreth liqenit Lyhnid ishte krahina ku u zhvilluan ngjarjet e rëndësishme të gjysmës së parë të shek. IV, por kjo krahinë nuk mund të identifikohet me territorin e shtetit ilir, shtrirja e plotë e të cilit është vështirë të rindërtohet. Sidoqoftë ai na paraqitet si një forcë që ishte në gjendje t’i kundërvihej me sukses Maqedonisë.

Kuptohet vetiu që si i tillë ai përbënte një njësi të paktën të barabartë me të, si nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe e forcës së gjallë njerëzore. Si rrjedhim, krahina të tjera të Ilirisë së Jugut, pa përjashtuar ultësirën bregdetare, duhet të kenë bërë pjesë në këtë njësi.Organizimi politik i këtij formacioni shtetëror nuk njihet mirë. Bardhyli quhet prej autorëve antikë “mbret i ilirëve”; po kështu emërtohen dhe pasardhësit e tij.

Kjo lejon që ky formacion të konsiderohet si një mbretëri, e cila nuk kishte marrë ende tiparet e qarta të një monarkie. Vetë Bardhyli, në fillimet e tij na paraqitet si një prijës i thjeshtë ushtarak që respekton shumë zakone të rendit fisnor. Duket më e besueshme, që mbretëria e tij të ketë qenë në fillim një bashkim i thjeshtë bashkësish ilire, të cilat i lidhnin interesa ekonomike dhe politike, në radhë të parë interesi i mbrojtjes nga rreziku i jashtëm.

Çdo bashkësi kishte në krye mbretin e vet të vogël që njihte sovranitetin e mbretit të federatës dhe i nënshtrohej atij. Me kalimin e kohës, autoriteti dhe pushteti i Bardhylit si mbret u rrit e u forcua së tepërmi. Ky pushtet mbështetej në forcat e armatosura. Në vitet 60 të shek. IV p.e.sonë, ai kishte një ushtri të rregullt, me një organizim dhe taktikë luftarake të përparuar. Kjo ushtri formohej nga një këmbësori e organizuar dhe e armatosur mirë që përbënte bazën e forcave të armatosura dhe nga kaloria, e cila, megjithëse e vogël në numër, ekzistonte si njësi më vete me cilësinë e një force të manovrueshme goditëse.

Ngjarjet politike që jetoi Mbretëria Ilire e kohës së Bardhylit dhe e pasardhësve të tij tregojnë gjithashtu se ajo përfaqësonte një forcë serioze. Veprimet e saj nuk janë të shkëputura, por gjejnë vend në kuadrin politik të kohës dhe janë shprehje e një qëndrimi që ka si objektiv të qartë dobësimin e kundërshtarit kryesor dhe forcimin e pozitave të veta në raport me shtetet fqinje. Kjo politikë mbështetej në marrëveshje e aleanca politike e ushtarake. Nuk mund të përfytyrohet dot një organizim fisnor apo një demokraci ushtarake që të luajë një rol kaq aktiv në situatën ndërkombëtare dhe të ketë pikësynime kaq të qarta politike, të cilat kërkonin përqendrim forcash e mjetesh, siç është rasti i Mbretërisë Ilire të kësaj kohe. Një veprimtari kaq e gjerë dhe kaq e guximshme në politikën e jashtme mund të ketë vend vetëm në kushtet e një organizimi shtetëror.

Por nuk duhet të kujtojmë se shteti ilir i kësaj kohe ishte një organizëm i përkryer që u përgjigjej të gjitha kërkesave të këtij nocioni në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithatë ai kishte tiparet thelbësore që i duhen një shteti: territorin, ndarjen territoriale të popullsisë sipas njësive gjeografike-etnografike dhe pushtetin publik në duart e klasës sunduese. Struktura social-ekonomike e krijuar në gjirin e shoqërisë ilire të kësaj kohe çoi gradualisht në lindjen e këtij shteti, si një mjet që i duhej klasës sunduese për të nënshtruar shtresat e tjera dhe për të mbrojtur interesat e saj. Nuk mund të detyrohej masa e madhe e prospelatëve-dulle të punonte për pjesën tjetër të shoqërisë ilire, për despotët pa një aparat shtrëngimi të përhershëm siç ishte aparati shtetëror. Kjo përbënte funksionin kryesor të brendshëm të shtetit ilir. Karakteri i shtetit shprehet edhe në funksionin e jashtëm që realizohet nëpërmjet ndeshjeve me popujt fqinjë me anë të fushatave pushtuese dhe ngarkimit të tyre me tribute. Shteti ilir ndodhej në stadin e tij fillestar dhe karakterizohej nga mbeturina të theksuara të rendit fisnor që gjenin shprehje në anë të veçanta të jetës shoqërore.

Por qytetet dhe popullsia e tyre, që përbënin bazën themelore ekonomike e shoqërore të tij, kishin marrë një zhvillim të dukshëm. Pozita dhe roli i tyre në jetën politike u bë më i qartë në periudhat e mëpastajme, dora-dorës me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë antike ilire.Shteti ilir lindi si rezultat i zhvillimit të brendshëm të forcave prodhuese në Ilirinë e Jugut. Procesi i lindjes dhe i formimit të tij përkon me periudhën e sundimit të mbretit Bardhyl; ai mund të konsiderohet edhe si themeluesi i shtetit ilir. Luftërat me Maqedoninë qenë, nga ana tjetër, një faktor i jashtëm me rëndësi që e shpejtoi këtë proces.

Dështimi i përkohshëm në luftërat me Filipin II dhe Aleksandrin nuk e ndërpreu jetën shtetërore të ilirëve. Këto luftëra përbëjnë vetëm një episod të shkurtër politik që nuk e ndali këtë proces të thellë shoqëror në Iliri. Shteti ilir lindi brenda territorit, të cilin e banonin sipas Plinit dhe gjeografit romak të shek. I, Melës “ilirët e mirëfilltë” dhe do të zhvillohet më tej në kuadrin e po këtij territori.


3. MBRETËRIA E DYTË ILIRE. DINASTIA E GLAUKISË(335-231 P.E.SONË)

Rimëkëmbja e shtetit ilir

Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe Greqinë, Maqedonia u drejtua nga lindja duke e lënë të qetë shtetin ilir. Fqinjësia me Maqedoninë nuk përbënte më atë rrezik serioz dhe ilirët u munduan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar për rimëkëmbjen e shtetit të tyre. Rufi njofton për trazira të reja në Iliri, por duket se ato nuk patën sukses, sepse në vitin 323 p.e.sonë, kur u bë ndarja e perandorisë së Aleksandrit, një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin e Antipatrit, që u bë mbret i Maqedonisë, i Greqisë, i Ilirisë, i Epirit dhe i popullsive të tjera të pushtuara në Ballkan.Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas vdekjes së Aleksandrit dhe shthurjes së perandorisë së tij krijoi kushte më të përshtatshme për çlirimin e tokave lindore ilire.

Duke u lidhur me armiqtë e Maqedonisë, Glaukia, mbret i taulantëve, arriti t’i çlirojë këto toka dhe t’i bashkojë me mbretërinë e tij. Duket se pas kësaj ai mori edhe titullin “mbret i ilirëve” në vend të titullit të mëparshëm “mbret i taulantëve”.Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi shtetin ilir, Glaukia u përpoq të dobësonte ndikimin maqedon në Epir. Për këtë qëllim ai u afrua me mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua me Berojën, një bijë nga dera mbretërore molose. Në këtë politikë ai u ndesh me të birin e Antipatrit, Kasandrin, që pas shumë përpjekjesh ishte vendosur në krye të Maqedonisë.

Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri rrëzoi nga froni molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i cili kishte ndërhyrë në grindjet e brendshme për fronin maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës së Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia mori nën mbrojtje dhe mbajti në pallatin e tij birin e mbretit të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi Pirron; ai nuk e bëri këtë as kur mbreti maqedon i premtoi si shpërblim shumën e madhe prej 200 talentesh, as kur ky e kërcënoi me luftë.

Shtrirja e sovranitetit mbi Dyrrahun e Apoloninë

Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri, duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë Glaukia u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej në Greqi pasi la këtu garnizone të fuqishme. Një vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi Apoloninë, por pa sukses.

Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë e spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët. Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë për vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet maqedone. Në këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një rol të veçantë u atribuon Diodori në këtë ngjarje korkyrasve, të cilët kishin ardhur për ndihmë. Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun ia dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”.

Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë për çështjet se përse korkyrasit ua dorëzuan Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në këtë ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se korkyrasit në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm të apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të ilirëve. Dalja e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut cenonte interesat ekonomikë e politikë si të shtetit ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës, prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon.

Dy qytetet e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e marrëdhënieve të vjetra me shtetin ilir dhe nuk dëshironin t’i nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë. Dyrrahu duket se kishte qenë para kësaj në duart e ilirëve ose kishte njohur sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi që i bënë apoloniatët Glaukisë më 313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të përkohshëm në këtë qytet të një grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja e qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit.

Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri para mureve të Apolonisë për të rivendosur gjendjen e mëparshme. Diodori pohon se “apoloniatët ishin lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse ishte kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka më tepër, por duhet nënkuptuar se ilirëve u ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha” se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të largohej, pasi kishte humbur një pjesë të mirë të ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas kësaj ai nuk provoi më të kthehej në këto anë.Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të matej me sukses me Maqedoninë për zotërimin e bregdetit Adriatik.

Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh kishin njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312 p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë nuk duhet të ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita juridike e këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të ketë qenë pak e ndryshme nga ajo e Dyrrahut.Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen e ekspeditës që do të vinte Pirron në fronin molos.

Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që kishte me të nëpërmjet së shoqes, Berojës, bijë nga dera molose, ato që e shtynë Glaukinë në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri në këtë kohë ishte pika më nevralgjike e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në kontradiktat iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend nga ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin e humbur. Për këtë qëllim, në vitin 309 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe, ai hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji i Pirros), vuri në krye të shtetit molos 12-vjeçarin Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh në favor të ilirëve.

Veprimtaria politike dhe ushtarake e Glaukisë për rimëkëmbjen e forcimin e pozitave të shtetit ilir u kurorëzua me sukses.Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm, duke përfshirë në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një faktor i rëndësishëm që ushtroi një ndikim të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.


Forcimi i pushtetit mbretëror

Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet më. Periudha që pason është mjaft e errët dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara, por ndonjëherë tepër të rëndësishme.Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend në krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet e tij me Glaukinë, të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta.

Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros. Plutarku thotë se pas vdekjes së gruas së parë, Antigonës, Pirroja “u martua me shumë gra, për arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”. Një ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari romak i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për një fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të cilën ai kishte dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe qytetin që ishte kryeqendra e tyre, pa na thënë emrin e tij. Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën jehonë kësaj ngjarjeje, duke thënë se Pirroja zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë bregdetit Jon.

Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë, megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në oborrin e Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij. Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e brendshme midis trashëgimtarëve apo pretendentëve për fronin e Glaukisë, e cila u shfrytëzua nga Pirroja. Por nuk është për t’u përjashtuar edhe pikëpamja sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë qenë një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm kështu mund të shpjegohet se si Pirroja u bë zot i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire, ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim të tij.Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit të ri si “mbret i lirëve” mbi një pjesë të shtetit ilir nuk duhet të kenë zgjatur shumë.

Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan dhe pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin e ngjarjeve të mëpastajme. Grindjet e brendshme për trashëgimin e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen shpejt. Në prologun e librit XXIV të historianit latin Trogut bëhet fjalë për “luftën që Ptolemeu e Kerouni (mbret i Maqedonisë) bënë me Monunin ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut”. Ky lajm që i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë flet për një sundimtar ilir që ndërhyn në grindjet për fronin maqedon si aleat i pretendentit tjetër, birit të Lysimahut. Sipas renditjes së Trogut, Monuni është kundërshtar i parë i Keraunit dhe mund të supozohet edhe iniciator i kësaj lufte.

Sidoqoftë ky Monun duhet të ishte sundimtar i një vendi, kufijtë e të cilit takonin me Maqedoninë.Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është zhvleftësuar duke i lënë vend mendimit se në rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet më e qartë nëpërmjet një monedhe të Dyrrahut.

Kjo është një tridrahme, e cila mban simbolet e njohura të tridrahmes së mëparshme autonome të Dyrrahut; në faqe ka një lopë duke e pirë viçi, në shpinë një katror të mbushur me zbukurime lineare; ndryshe prej së parës monedha e re ka një peshë më të vogël (10,3-10,5 gr. në vend të 10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo ??? ka edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull derri mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat e vjetra. Në një variant tjetër monedhave të Monunit u është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit dhe është zëvendësuar me një heshtë.

Këto tridrahme janë datuar me të drejtë pas vitit 300 p.e.sonë dhe përputhen si kohë me Monunin e përmendur prej Trogut.Njoftimi i Trogut dhe prerja e kësaj monedhe dëshmojnë se me gjithë tronditjen që kishte pësuar shteti ilir mbas vdekjes së Glaukisë nga ndërhyrja e Pirros, Monuni kishte mundur të rimëkëmbte shtetin e tij në të gjithë territorin e dikurshëm, prej brigjeve të Adriatikut deri në kufi të Maqedonisë. Si duket, ai përfitoi nga largimi i Pirros për në Itali për t’i rikthyer shtetit të vet tokat e pushtuara.

Pushteti i tij mbi Dyrrahun ishte rritur. Duke vënë dorë mbi punishten e monedhave, ai i thelloi më shumë se paraardhësi i tij marrëdhëniet me këtë qytet. Varianti i fundit i prerjeve të Monunit tregon se mbreti ilir duhet ta ketë ndjerë veten mjaft të fortë qysh se hoqi prej kësaj monedhe emrin e shkurtuar të Dyrrahut. Nuk dihet se si kanë qenë marrëdhëniet e tij me Apoloninë, por s’ka ndonjë arsye për t’i konsideruar të ndryshme. Edhe ky qytet duhet të ketë njohur sovranitetin e plotë të mbretit ilir, duke iu nënshtruar atij si Dyrrahu politikisht dhe ekonomikisht.Pasardhës i Monunit dhe i fundit prej dinastisë së Glaukisë ka qenë Mytili.

Edhe për të si traditë letrare kemi vetëm një njoftim të shkurtër në prologun e librit XXV të Trogut ku thuhet se “... i biri i tij /Pirros/, Aleksandri bëri me Mytilin luftën ilire”. Një monedhë bronzi e prerë edhe kjo në punishten e Dyrrahut vërteton plotësisht natyrën historike të personit të Mytilit. Kjo monedhë, e cila ka si simbole kryet e Herakliut në faqe dhe armët karakteristike të këtij heroi (harkun, mëzdragun dhe millin) në shpinë, ndryshon prej prototipit të vet, sepse në vend të nëpunësit monetar të Dyrrahut atë e siglon këtë radhë mbreti Mytil (??S???OS ???????), i cili ka hequr përveç kësaj nga monedha edhe legjendën e qytetit. Vetë këto të dhëna të monedhës tregojnë se Mytili ishte zoti i Dyrrahut dhe ushtronte mbi këtë qytet po atë pushtet që kishte edhe paraardhësi i tij Monuni.

Monedha është tepër e rrallë, gjë që tregon se sundimi i tij ka qenë i shkurtër. Lufta midis Mytilit dhe Aleksandrit, për të cilën bënte fjalë Trogu, i takon vitit 270 p.e.sonë. Për fat të keq nuk është ruajtur ndonjë njoftim i saktë mbi shkaqet dhe përfundimet e kësaj lufte, gjë që ka dhënë shkas edhe për supozime të ndryshme. Mendimi se ajo përfundoi në favor të Aleksandrit dhe se ky u bë përsëri zot i krahinave jugore të shtetit ilir, madje edhe i Apolonisë, u referohet Frontinit dhe Apianit.

Një shqyrtim më i kujdesshëm i njoftimeve të tyre tregon se këto përfundime nuk janë plotësisht të drejta. Është e vërtetë se Frontini, që plotëson Trogun, bën fjalë për një ndeshje në të cilën Aleksandri mundi ilirët, por përleshja zhvillohet në tokën epirote dhe nga ky lajm nuk del se ai pushtoi qoftë edhe ndonjë pjesë nga tokat e shtetit ilir. Sa për njoftimin e Apianit, ai ka karakter tepër të përgjithshëm dhe as ky dhe as ndonjë autor tjetër nuk paraqesin prova se Apolonia ka qenë nën sundimin e ndonjë mbreti epirot.


4. FUQIZIMI I SKLLAVOPRONARISË

Lulëzimi i qyteteve.

Pamja e tyrePeriudha midis viteve 335-230 p.e.sonë është koha e shtrirjes së mëtejshme të jetës qytetare në Iliri, e zhvillimit të vrullshëm dhe e lulëzimit të qytetit ilir. Ajo përputhet me fuqizimin më të madh të shtetit ilir. Jeta qytetare u zhvillua veçanërisht në krahinat e ultësirës bregdetare, në shpinë të Dyrrahut e Apolonisë, zonë që përbënte tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave lindore në përbërjen e shtetit maqedon, këto qytete e humbën rëndësinë që kishin në kuadrin e shtetit ilir.

Qytete të tjera, si Bylisi, Amantia, Kanina (Thronioni ?) janë ndër ato qytete të vjetra, që u rritën e u zhvilluan dhe luajtën në këtë kohë një rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën në këtë zonë edhe një varg qytetesh të reja, si Dimli, Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran), Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në Gradishtën e Belshit, në Selcën e Poshtme, në Irmaj etj., të panjohura më parë. Që nga kjo kohë jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare në veri të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni etj., lindën vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e shek. III p.e.sonë. Por në krahinat e brendshme të luginës së Matit e të Drinit të mesëm nuk ka ende dëshmi të qendrave urbane dhe duket se jeta qytetare këtu nuk u zhvillua.

Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit, por në disa raste si në Dimale, Olympe, Selcë e Poshtme etj., qyteti lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të lumit Mat është se ato janë të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij.Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është e njëjtë për të gjitha qytetet ilire të kësaj kohe. Ato dallohen sipas madhësisë dhe rolit ekonomik e politik të tyre: ka qendra të mëdha qytetare, si Bylisi, Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra, Lisi etj., ka edhe qendra më të vogla prodhimi, si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza, Gurzeza, Kanina, Treporti, Çuka e Ajtojt etj. Një kategori tjetër formojnë qendrat me fizionomi qytetare, por me funksione ushtarake dhe administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi, Peshtani, Rabija, Cerja, Lekli, Selo, Ripsi etj.Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të rrethanave në të cilat lindi dhe u zhvillua qyteti ilir mund të veçohen tre tipa qytetesh.Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të cilat kanë një akropol në majë dhe qytetin poshtë tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë qendër tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë jetë këtyre qyteteve zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u shtri nëpër faqet e kodrave.

Kur u forcuan ekonomikisht qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse, duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës së vjetër u kthye në këtë rast në një mur të brendshëm të tërthortë, që ndante qytetin në dy pjesë: në atë të sipërm - akropolin, dhe në atë përfund tij - qytetin e poshtëm. Në Lis, ky tip qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një ndarje të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej prej pjesëve të tjera të qytetit me një mur të dytë të brendshëm.Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën e vogël të një kodre të veçuar me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e qark qendrës së vjetër. U krijua kështu një tip qyteti me akropolin në mes dhe qytetin rreth tij. Qytetet e këtij tipi duket se nuk kishin një mur të jashtëm rrethues për lagjet e jashtme dhe mjaftoheshin vetëm me fortifikimin e akropolit.Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi, Irmaj etj., u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë kryesisht të rrafshtë me kurrize e thyerje të buta.

Këto qytete që lindën mbi një truall të ri duket se nuk kanë pasur akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me një mur të vetëm. Ato përbëjnë tipin e tretë të qyteteve ilire.Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë të veçantë në zhvillimin e tij. Kodra e Klosit, mbi të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër, në fund të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit të kësaj qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte më të përshtatshme për këtë qëllim ishte kodra e Hekalit, 1 500 m prej Klosit, ku filluan të vendosen qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi të ri. Që nga kjo kohë të dyja qendrat u zhvilluan paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë dhe u bë më përfaqësuesi.

I parë më vete Bylisi ka të gjitha tiparet e qyteteve të tipit të tretë, pa akropol. por së bashku me Klosin ai përbën një kategori të veçantë qyteti.Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund t’u bëhen qyteteve ilire, trajtimi i tyre urbanistik u përgjigjej disa kërkesave themelore, siç ishin vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë kryesore, për banim, për veprimtari shoqërore e mbrojtje dhe krijimi sipas kushteve të terrenit, i unitetit midis agorasë dhe komplekseve të banimit.Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të asaj kohe ishte modelimi sipas vijës së jashtme i mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon sa më mirë mundësitë mbrojtëse të terrenit. Në këtë sistem fortifikimi muret e qendrave të vjetra të epokës së hekurit shfrytëzoheshin vetëm pjesërisht.

Qytetet e ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt të re që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe të Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal, kurse ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit, Irmajt e të Zgërdheshit, ndiqnin stilin kuadratik. Këto ishin mure të fuqishme të ndërtuara me blloqe të mëdha e të skalitura me një trashësi prej 2,70-3,50 m dhe që në kohën e vet arrinin një lartësi prej 10-12 m. Ato përforcohen tani me kulla të shumta.Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy porta, qytetet që kanë tani një jetë më të dendur dhe lëvizje të madhe kanë porta të shumta, të mëdha e të vogla, për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve.

Meqenëse portat përbënin pikat më të prekshme, mbrojtjes së tyre i kushtohej një kujdes i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin midis dy kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një e tillë e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën e djathtë të hyrjes, me qëllim që të shfrytëzohej krahu i zbuluar i armikut.Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i brendshëm i këtyre qyteteve, por edhe ato të dhëna të pakta që kemi dëshmojnë se ato janë ndërtuar sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe në Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura të kohës helenistike. Përveç ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të mesëm e të poshtëm, në këto qytete dallohet edhe pjesa ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu i qytetit. Skodra e Lisi dhe qytete të tjera të ngritura buzë detit apo lumenjve, kishin edhe skelat e tyre.Rrugët ishin një element themelor urbanistik që e ndanin qytetin në insola, që niseshin nga hyrjet kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin në drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët përbërëse të tij.Vendet më në dukshme janë përdorur në qytetet ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt, teatrot, portikët, stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj., varret monumentale në Selcë të Poshtme etj.

Kur terreni ishte i pjerrët, ai sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me anë tarracash.Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin ujërat jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë të pijshëm mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuaret që ndërtoheshin brenda qytetit ose në trashësinë e mureve rrethuese.Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin hapësira që ato zinin dhe perimetri i mureve të tyre rrethuese. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2 200 m; Bylisi shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha, ndërsa muret ishin 25 550 m të gjatë, kurse Klosi kishte pushtuar në kodrën e vet 18 ha tokë, që rrethoheshin prej muresh me një gjatësi prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen e saktë të Skodrës, por duket se ka qenë pak më e madhe se ajo e Lisit. Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale, Zgërdheshi kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret perimetrale nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë qytetesh, si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më të vegjël; muret e tyre ishin nën 1 400 m të gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 5-7 ha. Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese (jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempuj e ndërtime të tjera), prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e përbënte territori brenda mureve rrethuese.

Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë ruajtur dëshmojnë se ndërtimet e tyre u nënshtroheshin parimeve të njohura të urbanistikës antike. Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqisnin ndërtimet mbrojtëse dhe ato me karakter publik e privat, në atë shkallë të gjerë dhe në atë nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën këta ndërtues midis vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e një shoqërie skllavopronare që kishte mundësitë e organizimit dhe të sigurimit të materialeve për një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese.Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara të epokës së hekurit në qytete nuk përfshin dhe as që mund të përfshinte të gjitha këto qendra.

Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qytete vetëm ato që kishin një pozitë gjeografike të përshtatshme për një zhvillim më të lartë. Pjesa tjetër, më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre qendrave të lindin në rrugët e komunikacionit ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla, të fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative. Të tilla mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore nëpër Shkallën e Tujanit - Qafë Murrizë - Dibër - Maqedoni; qyteza e Shkamit në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën që lidhte ultësirën bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit; pikëvrojtimi i Rabies në Mallakastër, në rrugën që ndjek krahun e djathtë të Vjosës e të tjera si këto, të cilat gjenden pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës së dytë që përshkonin truallin e vendit tonë. Tek autorët antikë dhe në burimet epigrafike këto qendra përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve me termat castellum apo peripolia.

Ato janë në funksion të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative, qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre pranë qafave ose rrugëve që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar një kurorë fortifikimesh në zonën gjeografike ku qyteti mbizotëron me ekonominë e vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë prodhimet e qytetit sesa prodhojnë vetë.


Rritja e prodhimit zejtar dhe e tregut

Në fushën e prodhimit kjo periudhë shënon përparime të dukshme. Punishte të shumta metalesh funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave, zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre qyteteve, dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut, veçanërisht ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin veglat e punës, armët dhe punoheshin stolitë e enët metalike që u nevojiteshin qytetarëve dhe banorëve të rretheve në jetën e tyre të përditshme.

Gjetja me shumicë e këtyre sendeve në qytetet dhe në varrezat e kësaj kohe dëshmon për karakterin intensiv të prodhimit zejtar dhe për konsumin e gjerë të këtyre mallrave.Në qytete kishte edhe punishte zejesh të tjera si ato për regjjen e lëkurave, punimin e veshmbathjes, endjen dhe thurjen e rrobave etj. Një nga zejet më të rëndësishme ishte ajo e gurgdhendësve, të cilët angazhoheshin në ndërtimet monumentale të qytetit, si në ndërtimin e mureve rrethuese të qytetit, në godinat shoqërore, në ngritjen e varreve monumentale etj.

Veprimtaria e grupeve të specializuara të gurgdhendësve provohet nga guroret e zbuluara në Selcë të Poshtme, Bylis, Amantia, në shkallët e Konispolit etj.Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria e prodhimeve qeramike. Enët prej balte që dilnin tani nga punishtet e qyteteve ishin të punuara kryesisht me çarkun e poçarit, kurse sasia e atyre të punuara me dorë është tepër e kufizuar. Kalimi në teknikën e re të prodhimit të enëve u shoqërua me largimin nga format tradicionale dhe me përshtatjen në shkallë të gjerë të formave greke.

Nuk mungojnë edhe përpjekjet për të zhvilluar format e vjetra, por zakonisht ato çojnë në ndërthurje eklektike që nuk gjejnë përhapje të gjerë, me sa duket për shkak se nuk u përgjigjeshin kërkesave të tregut dhe shijeve të kohës. Prodhimi i enëve me forma greke merr përhapje të gjerë. Kështu nga furrat e punishteve qeramike të qyteteve ilire dalin tani enë të llojeve të ndryshme, duke filluar prej atyre të mëdha, si pitosa e amfora e deri tek enët e përdorimit të gjerë apo të luksit të lyera me vernik të zi apo të pikturuara. Një vend me rëndësi në këtë kohë zë edhe prodhimi i tullave e sidomos i tjegullave, që përdoreshin në ndërtimin e banesave dhe të godinave shoqërore.

Sot njihen pothuajse për çdo qytet punishte qeramike të tilla që ishin pronë private e qytetarëve ilirë. Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat del se një punishte në Lis ishte pronë e një farë Ortai; në Irmaj pronarët e punishteve quheshin Trito, Pato, Bato dhe Pito; një vulë me emrin e Kleitit, nga rrethi i Gramshit i takon një punishteje në Irmaj. Një Plator vulos buzën e një pitosi të gjetur në Tren të Korçës, kurse një Epikad te një enë tjetër e këtij lloji nga rrethi i Pogradecit. Pronari i një punishteje qeramike në Selcë të Poshtme (Polion) quhej Gent , në Bylis (Klos) një punishte e tillë i takonte Balaneut , kurse në Dimal kemi pronarët Epikad dhe Olnio.

Në qytete të tjera, si në Zgërdhesh e Margëlliç vulat e pronarëve janë të shënuara me monograme apo shenja simbolike. Krahas këtyre, nëpër këto qendra ka edhe vula që mbajnë emra grekë e maqedonë. Prania e këtyre emrave në vulat e punishteve qeramike të qyteteve ilire nuk është domosdo e lidhur me qytetarë të origjinës greke apo maqedone në këto qendra. Në periudha të caktuara dhe aty ku pati vend një pushtim i qëndrueshëm maqedon, kjo gjë padyshim edhe mund të ketë ndodhur. Por kjo dukuri lidhet kryesisht me ndikime të karakterit kulturor, si pasojë e të cilave këta emra u përhapën dhe u adaptuan nga popullsia ilire.

Dëshmi të gjalla të kësaj dukurie vihen re në mbishkrimet varrimore të Apolonisë e të Dyrrahut ku emri i parë është grek, kurse i dyti, ai i atit, është ilir ose anasjelltas. Në Apoloni kemi emra të tillë, si Nikanori i Gentit (???a???a Ge?????), ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë (?????a G?a???a), Epiktesi i Tritos (?p??t???? ???t??), Teutaia e Aristionit (?e?t??a ??e?????), Euklidi i Tritos (?p??t?a?? ???t??), Teutaia e Aleksenit (?e?t??a ??e??????), Brygu i Afrodisit (?????? ?f??d?s?) etj.Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të dendur të mallrave dhe zgjerimit të tregtisë. Prodhimet e zejtarisë së qyteteve ilire mbulojnë tani rrethin e tyre të ngushtë dhe lëvizin në drejtimet më të ndryshme për të ushqyer reciprokisht tregjet e njëri-tjetrit; jo rrallë ato shtrihen në krahina të brendshme. Në qoftë se deri në fund të shek. IV popullsia e këtyre krahinave të largëta kënaqej me prodhimet e qeramikës lokale të punuar me dorë ndërsa prodhimet e importit ishin sende luksi tepër të rralla, më vonë prodhimet e qeramikës qytetare ilire depërtojnë gjerësisht në këto anë dhe hyjnë në konsumin e përditshëm të popullsisë.

Zonat e thella të dasaretëve dhe të fiseve të tjera më të vogla që banonin në krahinat malore të rrjedhjeve të sipërme të Shkumbinit, të Devollit dhe të Osumit furnizonin me prodhimet e tyre qytetet e jugut, të cilat ishin më të dendura dhe më të zhvilluara.Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apoloninë bëhen më intensive. Megjithëse këto nuk janë më qendrat e vetme që furnizojnë tregun ilir, prapëseprapë vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm.

Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë të zonave të tregtimit: ndërsa Dyrrahu shtrin veprimtarinë e vet kryesisht mbi krahinat në veri të Shkumbinit, në orbitën e Apolonisë hyjnë ato në jug të këtij lumi. Përmes këtyre dy qendrave përhapen gjerësisht në Iliri edhe prodhimet e qyteteve të Apulisë. Mallrat e qendrave greke që gjenden krahas tyre janë përkundrazi më të rralla, kurse ato maqedone dhe të Epirit ndeshen kryesisht në zonat kufitare.Rrugët kryesore nëpër të cilat lëviznin mallrat dhe zhvillohej tregtia me botën ilire ishin luginat e lumenjve; ndër to ajo e Drinit, e Shkumbinit, e Devollit, e Osumit dhe e Vjosës formonin arteriet më të rëndësishme.

Rrugë të tjera të shumta, të dorës së dytë, përshkonin grykat e ngushta dhe qafat e maleve për të lidhur njërën krahinë me tjetrën. Sado të vështira që ishin këto rrugë, asnjë krahinë e Ilirisë Jugore nuk mbeti në këtë kohë e izoluar dhe jashtë ndikimit të marrëdhënieve tregtare me qytetet. Më e rëndësishmja është se në tregun e brendshëm mbizotëronin prodhimet lokale, të cilat konkurronin si me prodhimet që vinin nga Dyrrahu e Apolonia, ashtu edhe me ato të importit dhe që ishin kryesisht sende luksi.Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar u lejoi qyteteve Skodra, Bylis, Amantia e Olympe të presin gjatë gjysmës së parë të shek. III monedhat e tyre prej bronzi në emër të bashkësive qytetare përkatëse.


Organizimi shoqëror e politik

Burimet nuk hedhin dritë plotësisht mbi strukturën shoqërore dhe organizimin politik të qytetit ilir. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se një bazë ekonomike e tillë si ajo që u krijua në Iliri në kohën e lulëzimit të jetës qytetare i takonte një shoqërie antike të zhvilluar me të gjitha tiparet e saj.Duke qenë qendra ekonomike, një vend me rëndësi në popullsinë e qyteteve zinte shtresa e prodhuesve zejtarë dhe e mjeshtërve ndërtues, të cilët mund të ishin qytetarë të lirë ose dhe skllevër. Prania e këtyre të fundit dëshmohet në qytetet ilire vetëm përmes burimeve që lidhen me ngjarjet e mbarimit të shek. III dhe ato të fillimit të shek. II p.e.sonë, por nuk ka dyshim se në këtë kohë ato nuk janë një dukuri e re, ashtu si nuk janë vetë qytetet që përmendëm. Shtresën tjetër të popullsisë e përbënin pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe në qytetet bregdetare, detarët.

Krahas tyre, në qytetet ilire jetonin, me sa duket, edhe përfaqësues të aristrokracisë së vjetër fisnore që mbështeteshin në pronën e tokave dhe të blegtorisë. Si e tillë popullsia e qyteteve paraqitej në këtë etapë e diferencuar shumë qartë në shtresa shoqërore me interesa të ndryshme.Nga pikëpamja e organizimit politik mbi bazën e federalizmit qyteti së bashku me rrethinat fshatare dhe kështjellat që formonin sistemin e tij mbrojtës dhe u shërbenin nevojave të tregtisë, përbënin koinonin që mbante emrin e qytetit kryesor, i cili ishte qendra e kësaj njësie. Koinoni kishte organe që zgjidheshin çdo vit nga eklesia ose mbledhja e përgjithshme. Prej saj dilte këshilli legjislativ ose buleja, si dhe organi përfaqësues i njësive i përbërë nga damiorgët.

Zbatimi i vendimeve bëhej nga një kolegj nëpunësish, të quajtur prytanë që zgjidheshin çdo vit, të shoqëruar nga një sekretar. Në krye të koinonit qëndronte strategu. Në koinonin e bylinëve strategu ishte një nëpunës ushtarak që shoqërohej në këtë funksion edhe nga hiparku, komandanti i kalorisë. Pastaj vinin me radhë nëpunësit e ngarkuar me edukimin e rinisë (gymnasiarkët), me organizimin e festave dhe të garave sportive (epimeletët), me drejtimin e rojeve (toksarkët, peripolarkët) etj.Koinoni duke qenë një organizëm autonom përbënte një njësi administrative të shtetit ilir.

Si rrjedhim, shteti përbëhej nga disa koinone të organizuara mbi bazën e federatizmit.Veprimtari e rëndësishme e qyteteve ishte emetimi i monedhave. Skodra, Lisi, Bylisi, presin monedhat e tyre në emër të bashkësive qytetare, gjë që dëshmon jo vetëm për fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve, por edhe për një autonomi politike që ato gëzonin në kuadrin e shtetit ilir. Simbolet e monedhave të tyre hedhin dritë, mbase edhe mbi karakterin e pushtetit politik në këto qytete.

Pasqyrimi i anijes në monedhat e Skodrës ka mundësi të përfaqësojë një shenjë për tregtinë detare që zhvillonte qyteti dhe të jetë, në këtë mënyrë, një e dhënë e tërthortë për peshën sunduese të shtresës tregtare në qytet. Në Bylis, përkundrazi, përdoret si simbol fytyra e themeluesit legjendar të qytetit, duke theksuar me këtë traditën, me të cilën lidhej kryesisht shtresa aristrokratike e qytetit.Pak më i qartë bëhet ky problem në burimet e çerekut të fundit të shek. III. Këtu për herë të parë bëhet fjalë se në krye të qyteteve qëndronin polidinastet (sundimtarë të qyteteve), të cilët i nënshtroheshin plotësisht pushtetit të mbretit.


Dyrrahu dhe Apolonia

Përfshirja e Dyrrahut dhe e Apolonisë në gjirin e shtetit ilir pati pasoja të rëndësishme si për jetën e këtyre qyteteve, ashtu edhe për vetë shtetin ilir.Të dhënat arkeologjike tregojnë se qysh nga çereku i fundit të shek. IV p.e.sonë, lidhjet e këtyre qyteteve me botën ilire bëhen më të dendura dhe më të drejtpërdrejta. Tregtisë së Dyrrahut dhe të Apolonisë iu hapën lirisht rrugët e gjera të tregut ilir.

Që nga kjo kohë në krahinat e brendshme ilire fillojnë të depërtojnë me lehtësi prodhimet e zejtarisë së zhvilluar të tyre. Nëpërmjet këtyre qyteteve, në Iliri hynin mallrat e importit, midis të cilave vendin më të rëndësishëm e zinin ato që vinin nga brigjet e përtejme të Adriatikut.Dyrrahu dhe Apolonia fillojnë të hedhin në treg monedha të reja argjendi, ndër të cilat përhapje të gjerë merr drahma e argjendtë e këtyre dy qyteteve. Ajo ishte destinuar kryesisht për tregtinë me botën ilire, prandaj edhe me të drejtë është pagëzuar “drahma ilire”. Shfaqje e re e kësaj kohe është prerja nga këto qytete e monedhave të bronzit. Vënia në qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë gjetjet, i këtyre monedhave me vleftë shumë herë më të vogël se monedhat e argjendit, tregon se ekonomia monetare ishte zhvilluar në një shkallë të gjerë në Iliri.

Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një periudhë të vërtetë lulëzimi. Ndërtimet më të rëndësishme e më monumentale në këto qytete i përkasin periudhës pas mesit të shek. IV p.e.sonë. Forcimi ekonomik dhe pasurimi i tyre nga tregtia me botën ilire u lejuan të ndërtonin mure të fuqishme mbrojtëse, që përfshinin në gjirin e tyre sipërfaqe shumë më të mëdha nga ato që njihnin më parë, të ngrinin tregje e sheshe publike, shëtitore, tempuj, gjimnaze e godina të mëdha administrative.Një dukuri e re filloi të përshkojë dhe të ndryshojë në një drejtim të caktuar jetën shoqërore të këtyre qyteteve dhe përbërjen e mëparshme etnike të tyre. Emrat ilirë që janë gjetur vitet e fundit mbi gurët e varreve të zbuluara në nekropolin e Dyrrahut, përbëjnë mbi 1/3 e tërësisë së emrave të njohur në këtë qytet nga monumentet epigrafike. Këto emra dëshmojnë praninë në masë të popullsisë ilire në to.

Emrat ilirë të prytanëve dhe të nëpunësve monetarë që gjenden në të dyja faqet e monedhave prej argjendi dhe bronzi dhe emrat në vulat e tjegullave të Dyrrahut dhe të Apolonisë, tregojnë se popullsia ilire kishte një peshë me rëndësi në jetën ekonomike, dhe kishte siguruar të drejta qytetare të plota deri në zënien e posteve më të larta në jetën administrative e politike të qytetit. Midis emrave të shumtë ishin edhe këta: ??????, Ge?????, ?a????, ?aa???da?, ???ta???, ?????????, ???t??, për Dyrrahun, ?at??, ?p??ad?? etj., për Apoloninë.Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.e.sonë, Dyrrahu dhe Apolonia humbasin karakterin tipik të një kolonie, mbasi popullsia e tyre përbëhet në një përqindje të madhe edhe nga ilirët. Procesi i ilirizimit të këtyre qyteteve, rezultat i shtrirjes së sovranitetit ilir mbi to, ushtroi një ndikim të thellë mbi gjithë jetën sociale-politike e kulturore të Ilirisë në shekujt e mëpastajmë. Rezultati i këtij procesi qe shkëputja e plotë e Dyrrahut dhe e Apolonisë nga qytetet mëmë dhe integrimi i tyre i plotë në jetën ekonomike e politike të shtetit ilir. Këtë integrim e favorizonte përputhja e interesave të tyre ekonomike e politike me ato të shtetit ilir.

Mbreti dhe shtresa sunduese e shtetit ilir lakmonin fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët e Dyrrahut dhe të Apolonisë pushtetin e fuqishëm të sundimtarëve ilirë mbi një krahinë shumë më të gjerë se sa territoret e ngushta të qyteteve-shtete të tyre me pasuri dhe treg të gjerë. Rezultati u arrit, siç tregojnë faktet, sado të pakta, nëpërmjet një lufte të ashpër politike, mjaft të ndërlikuar, ku u përzien edhe fuqi të jashtme, por edhe si rrjedhojë e një domosdoshmërie të diktuar nga kushtet objektive të kohës.


5. RËNIA E DINASTISË SË GLAUKISË

Gjendja politike në vitet 270-231

Pas luftës së fundit të Mytilit kundër Aleksandrit II të Epirit, në vitin 270, nuk flitet më në burimet për shtetin ilir. Duke zbritur drejt vitit 230 dalin të dhëna të reja mbi këtë shtet.Megjithëse në vështrimin e parë kjo duket si një periudhë e errët, ajo përbën në vetvete një faqe me shumë interes në historinë ilire. Gjatë gjysmë shekulli, që nga Glaukia deri te Mytili, shteti ilir kishte mundur t’i bënte ballë me sukses agresionit të Kasandrit dhe më pas të Pirros e pasardhësit të tij. Të gjithë këta kishin dështuar në ndërmarrjet e tyre dhe më në fund qenë detyruar të hiqnin dorë prej Ilirisë.

Ndërkaq gjendja në Greqi mbetej e paqëndrueshme. Sundimtarët maqedonë, Antigon Gonata dhe i biri i tij Demetri, u gjendën tërësisht të angazhuar në teatrin grek të veprimeve politike e ushtarake për të ruajtur hegjemoninë e Maqedonisë në këto anë.Për shtetin ilir kjo qe një periudhë qetësie në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht me Maqedoninë, dhe me këtë duhet shpjeguar edhe heshtja e burimeve. Por nuk qe Gonata ai që “diti, siç pretendohet, t’u imponojë paqen fqinjëve veriperëndimorë”.

Burimet nuk bëjnë fjalë për një gjë të tillë. Në qoftë se midis Ilirisë dhe Maqedonisë nuk pati në këtë kohë ndonjë konflikt, kjo duhet shpjeguar më tepër me faktin se ilirët, të lodhur nga luftërat e deriatëhershme, nuk mundnin, pra, edhe nuk kërkuan t’i shfrytëzonin vështirësitë e Maqedonisë në interes të tyre.Ndërkaq ka të ngjarë që nga mesi i shek. III p.e.sonë ose pak më parë shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk njihen mirë.

Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në zëvendësimin e dinastisë sunduese të Glaukisë me atë të Agronit dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, të Dyrrahut e të Apolonisë, nga shteti ilir.

Source: shqiperia.com
Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors